Programet e nxitjes, punë për 656 të rinj në Gjirokastër

Alket Shehu tashmë është punësuar në një linjë të prodhimit të fasonëve në qytetin e Gjirokastrës. Pas përfundimit të shkollës së lartë ai ishtë në kërkim të një vendi pune. “U regjistrova në Zyrën e Punës për të gjetur një vend pune. Pas disa javësh ata më njoftuan se mund të nisja punës si stilist në një repart fasonësh”, shprehet Alketi. Pas disa javë trajnimi pranë këtij biznesi ai tashmë është punësuar si stilist.

Ashtu si Alketi aktualisht janë 656 punëkërkues, të moshave të ndryshme, kryesisht të rinj, të cilët janë punësuar nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit të zbatuara nga Zyra e Punës në Gjirokastër.

Gerta Lani prej disa vitesh ka përfunduar studimet për gjuhën angleze në universitetin e Gjirokastrës. Ajo ishte në kërkim të një vendi pune dhe u regjistrua pranë Zyrës së Punës në Gjirokastër. “Pas disa javësh ata më njoftuan se mund të filloja punë në një biznes të administrimit turistik këtu në Gjirokastër. Përgjatë këtij vitit unë jam punësuar në këtë biznes duke vazhduar normalisht punën”, thotë Gerta.

Sipas drejtorit të Zyrës së Punës në Gjirokastër, Eduart Pesha, në bashkëpunim me biznesin privat në Gjirokastër janë duke u zbatuar disa programe punësimi të cilat mundësojnë sigurimin e një vendi pune, kryesisht për të rinjtë. “Ne po bashkëpunojmë me bizneset e prodhimit të fasonëve, ata turistike, përpunimit të produkteve ushqimore etj., për të çelur vende të reja pune. Nëpërmjet skemave të nxitjes së punësimit ne sigurojmë pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit për të punësuarit ndërkohë që shpenzimet e tjera për ta sigurohen nga vetë bizneset”, thotë drejtori Pesha.

Skemat e nxitjes së punësimit krahas çeljes së vendeve të punës i kanë ardhur në ndihmë edhe vetë biznesit lokal. S.Çela, administrator i një biznesi turistik shprehet se nëpërmjet bashkëpunimit me Zyrën e Punës ai ka punësuar dy të rinj në shërbimet për turistët. “ Financimet që bën Zyra e Punës për punësimin e tyre mua më krijojnë mundësi që ato të ardhura financiare t’i investoj për zgjerimin e kapaciteteve të biznesit tim”, thotë ai./konica.al