“Pronarët” e maleve me sherebel, konflikte të vazhdueshme për kontroll territori

mucaj_004Një prej mundësive të punësimit në Libohovë është mbledhja e bimëve medicinale, kryesisht sherebela, rigoni, murizi, çaji e të tjera. Janë të shumta familjet libohovite që sigurojnë jetesën me të ardhurat që marrin nga shitja e këtyre bimëve medicinale. Por, në kushtet kur janë të shumtë njerëzit që shkojnë nëpër male për të mbledhur këto bimë medicinale, ka lindur edhe konkurenca e pandershme apo ta themi më thjesht pazaret, ku individë të caktuar janë shndërruar në “pronarë” malesh ku rriten këto bimë medicinale.

Fenomeni nuk është problem për malin e Buretos apo të themi më mirë për territorin që administrohet nga Bashkia Libohovë. Në këto zona kushdo është i lirë të punojë. Por ndërkohë në zonat jashtë Libohovës, kryesisht në Dropull, libohovitët e kanë të pamundur, pasi ndeshin në rezistencën, shpesh herë të dhunshme, të personave që thonë se e kanë blerë malin dhe vetëm ata kanë të drejtë të mbledhin bimë medicinale. Disa prej këtyre “pronarëve” janë edhe vetë libohovitë, që kanë arritur marreveshje me komunat, në territorin e të cilave janë këto male, duke mos lejuar njeri tjetër për shfrytëzimin e kësaj pasurie natyrore.

Ata pretendojnë se kanë paguar para për të pasur të drejtën e shfrytëzimit të këtyre maleve. Sigurisht që kjo mund të jetë e vërtetë, por ka edhe një anë tjetër që nuk shkon. Cila është transparenca në dhënien në shfrytëzim të kësaj pasurie tek disa persona? A po bëhet një tender publik nga këto njësi vendore, ku gjithësecili qytetar, libohovitë dhe jo vetëm të jap ofertën e tij për një sipërfaqe të caktuar apo jo? Si ndahet kjo punë? Apo thjesht përfiton ai që kap i pari nga “xhaketa” kryekomunarin apo zyrtarin e komunës?

Lidhur me këtë problem dhe një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur herë pas here, është organizuar edhe një takim nga prefektja e qarkut, por, siç thonë qytetarët që merren me këtë punë, nuk është zgjidhur asgjë. Situata është problematike dhe shpesh herë ka cuar në përplasje fizike mes “pronarëve” të sherebelit dhe hallexhinjve që s’dinë ku të shkojnë të punojnë. Një zgjidhje e tillë është shpikje alla shqiptarce, ku punon vetëm ai që ka njohje, ai që është i “fortë”, ai që ka mik kryetarin e komunës e të tjera me radhë. Pse të mos lihen të lira këto male dhe kushdo të punojë sipas forcës, dëshirës dhe mundësive?!