Protestojnë shoferët e autobusëve në Gjirokastër: Libohova dhe Dropulli të mos kenë linjë transporti për Tiranë

Shoqëria e transportit të udhëtarëve ‘Argjiro’ në Gjirokastër ka dalë në protestë ditën e sotme. Për shkak të protestës të gjithë autobusët e linjave drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera janë bllokuar.

Shoferët e kësaj shoqërie shprehen se protesta do të jetë pa afat, teksa paralajmërojnë edhe grevë. Ata kërkojnë nga qeveria që të ndërhyjë në mënyrë që të sigurohet konkurrenca e ndershme.

Sipas kësaj shoqërie problemi qëndron tek linja Libohovë-Tiranë dhe Dropull-Tiranë, të cilat ndalojnë në Gjirokastër dhe u marrin udhëtarët.

Shoqëria ‘Argjiro’ pretendon të jetë ajo e vetmja për të siguruar transportin drejt kryeqytetit. Përfaqësues të saj thanë sot për mediat se dhënia e licencave për linjat e reja është bërë në mënyrë klienteliste.