PS hap fushatën në Gjirokastër, Çuçi: Fitojmë mandatin e tretë, do të thyejmë mitin që në Shqipëri nuk qeveris asnjë parti më shumë se dy mandate (FOTO)

Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale në qarkun Gjirokastër. Në eventin e organizuar te Parku i Viroit, drejtuesi politik i socialistëve në këtë qark, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi prezantoi kandidatët për deputetë në garën elektorale të 25 prillit. Gjatë fjalës së tij Çuçi tha se Partia Socialiste do ta fitojë mandatin e tretë qeverisës edhe për të thyer një mit se në Shqipëri s’ka forcë politike që qeveris më shumë se dy mandate.

“Ne shkojmë me kokën lart në kërkimin e mandatit të tretë të Partisë Socialiste te shqiptarët. Pavarësisht se kemi dy mandate në qeverisje ne jemi më të freskët se kurrë dhe më të dëshiruar se kurrë nga shqiptarët për një mandat të tretë. Do ta fitojmë mandatin e tretë për të thyer edhe një mit që në Shqipëri nuk mund të ketë forcë politike qe qeveris më shumë se dy mandate. Kemi për të qenë shumë bindës për t’i kërkuar votën në datën 25 prill shqiptarëve pikërisht për këtë transformim historik që ka filluar të pësojë Shqipëria në këto vite. Për faktin se kemi ende shumë rrugë për të bërë na duhet edhe një mandat i tretë qeverisës e ndoshta pastaj, padiskutim edhe mandati i katërt nëse justifikojmë besimin e shqiptarëve herën e tretë”, tha Çuçi.

Në vijim të fjalës së tij Çuçi iu referua sondazheve, të bëra edhe nga opozita, që e rendisin PS-në si forcë fituese.

“Nga të gjitha sondazhet e bëra deri më tani, madje edhe nga ato sondazhe që janë bërë nga opozita, rezulton se Partia Socialiste është forca politike fituese në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo nuk ka diskutim, nuk ka diskutim. Sigurisht sepse e kemi të merituar. Por ne duhet të luftojmë fort, të kërkojmë çdo votë në këto ditë të mbetura deri në zgjedhjet e 25 prillit, të nxjerrim çdo njeri për të votuar për Partinë Socialiste, çdo mik, çdo familjar e koleg në punë sepse na duhet të fitojmë dhe të jemi të vetëm në qeverisjen e Shqipërisë ashtu siç kemi bërë keto 4 vitet e fundit. Kemi treguar para shqiptarëve që jemi partia e vetme që mund ta transformojmë Shqipërinë në një vend të denjë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”.

Bledi Çuçi është i treti në listën e socialistëve në qarkun Gjirokastër, i cili çon në Kuvend kësaj radhe 4 mandate deputetësh. Veç Çuçit PS kandidon Mirela Kumbaron, Laert Durajn, Artemis Malon, Kosta Garon dhe Kjara Adhamin. Objektivi i PS-së është të fitojë 3 mandate, po aq sa mori në zgjedhjet e vitit 2017.