PS-LSI kandidojnë Vladimir Hiden për Bashkinë Libohovë?

Libohove3Ndërsa negociatat mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për kandidatët e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit kanë ngecur në disa bashki kryesore, duket se tashmë është arritur marrëveshja për një numër të konsiderueshëm të bashkive. Kështu shkruan sot e përditshmja “Panorama”.

Sa i përket Bashkisë Libohovë, sipas kësaj gazete, koalicioni i majtë do të dalë me Vladimir Hiden. Ish-kryebashkiaku i Libohovës deri në vitin 2007, pritet të garojë sërish përballë kandidatit të djathtë, Altin Çomo, i cili është në kërkim të mandatit të tretë. Por burime të tjera të Libohova Online, mësojnë se nuk pritet që të jetë Hide kandidati i së majtës. Negociatat mes aleatëve vazhdojnë dhe ndoshta në ditët e ardhshme do të kemi ndonjë emër surprizë.

Megjithatë, edhe nëse PS dhe LSI shkojnë drejt Vladimir Hides, do të ishte një garë interesante për dy arsye. Së pari edhe Çomo dhe Hide i kanë ezauruar 8 vjet në krye të Bashkisë Libohovë. Së dyti, Hide u mund në zgjedhjet lokale të vitit 2007 nga Çomo. Pra, do të ngjante si një film i përsëritur, me po të njëjtët personazhe, por që skenat xhirohen në një kohë tjetër, 8 vjet më vonë.

Nga ndarja e re territoriale, Libohovës iu bashkëngjitën edhe Komuna Zagorie dhe Komuna Qendër Libohovë, duke krijuar kështu një njësi më të madhe vendore.