Pse duhet ta marrë Kadare Nobelin

kadare11Nga MANJOLA ZAÇELLARI

Marrëdhëniet e shkrimtarit me Nobelin kanë qenë kurdoherë komplekse. Në historinë e dhënies së këtij çmimi prestigjioz ka pasur përherë nga ata që janë pajtuar me Akademinë Suedeze, institucioni që akordon këtë çmim që prej vitit 1902, siç ka dhe të shumtë që e kanë akuzuar atë për përzgjedhje të gabuara dhe me raste edhe të çuditshme. Megjithatë, kritikat përgjithësisht janë të natyrës gjeopolitike. 

Ndërkaq, për të fituar këtë çmim nuk mjafton një karrierë e shkëlqyer letrare, porse kërkohet përmbushja e një sërë kriteresh. Po t’i referohemi historisë së Nobelit, do të gjejmë aty emra të mëdhenj të letërsisë botërore, që nuk janë shpërblyer me këtë çmim edhe pse me një krijimtari të jashtëzakonshme. Dhe raste ka plot. Kështu, Tolstoin Akademia e Nobelit, pavarësisht “krijimeve të tij të pavdekshme” e klasifikoi si “pesimist” dhe si rrjedhim çmimi iu mohua. Ndërsa Oruelli, padyshim do ta kishte fituar këtë çmim nëse do të kishte jetuar më gjatë. Ai ndërroi jetë një vit pas botimit të një prej veprave të tij më të mira: “1984”. Borgesi nga ana tjetër, edhe pse jetoi shumë më gjatë, nuk e fitoi asnjëherë Nobelin dhe kjo për shkak të mbështetjes që i jepte Pinoçetit dhe J. R. Videlës. Ndërsa, kur njëri nga gjyqtarët e çmimit Nobel u pyet pse Xhojsi nuk ishte në listën e të nominuarve, ai u përgjigj: “Kush?!”. Po të njëjtin fat kanë pasur edhe shkrimtarë të tjerë, si Çehovi, apo Ibseni, të cilit edhe pse njihet si dramaturgu më i rëndësishëm pas Shekspirit, iu mohua Nobeli, për shkak të natyrës shumë realiste të veprave të tij, në një kohë që Akademia asokohe kërkonte më tepër idealizëm! Po kështu edhe Nabokovi, i cili mposhtej përherë nga autorë më pak të njohur. Kur ai kryesonte listën së bashku me Borgesin, Grinin dhe Belloun, çmimi u fitua dhe u nda mes Eivind Xhonson dhe Herri Martinson, dy suedezë pjesëtarë të jurisë në panelin e Nobelit! Ndërsa Artur Miler, pas humbjes së çmimit nuk u nominua herë tjetër, qysh kur kryesoi listën më 1997 së bashku me Salman Ruzhdien. 

Në mjediset shkencore dihet ose zyrtarisht pranohet që Nobeli u jepet shkrimtarëve që rinovojnë teknikat letrare. 

Ismail Kadare prej vitesh është në listën e më të mirëve për të fituar çmimin Nobel. Ai është i vetmi shkrimtar shqiptar që i është afruar Nobelit kaq pranë, por edhe ndoshta i vetmi në letërsinë botërore që t’i jetë afruar kaq herë. Ka ndodhur që shkrimtarë të ndryshëm të kenë qenë favoritë për çmimin e kur nuk e kanë fituar, të mos jenë nominuar herë tjetër edhe pse të mirënjohur e të lexuar në mbarë botën. Ndërsa, dihet që Kadare, është më i njohur në mjedisin frankofon, edhe pse prej gati 10-15 vitesh dhe në atë anglo-amerikan, gjë që ndoshta ka përligjur qëndrimin e tij në garë. 
Po a i ofron Kadare Nobelit një dispozitiv stilistik unik që të kurorëzohet me këtë çmim? Dhe nëse po, ç’është unike te vepra e tij? 

Në veprën “Intertekstualja dhe disidentja të Dimri i vetmisë së madhe” studiuesi Met Dervishi provon shkencërisht se ajo çka e bën unik Kadarenë është polifonizmi ose dialogjizmi në veprën e tij. Le t’i shtjellojmë arsyet, gjithnjë duke u bazuar tek përfundimet e këtij autori, si dhe duke iu referuar kryesisht M. Bachtinit për polifoniken/dialogjiken dhe pse te Kadareja polifonizmi është unik. 

Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, ndërsa studiues të tjerë te Xhojsi etj. Sipas tij, gjithë personazhet kryesorë të Dostojevskit janë “njerëz-ide”. Por, kushti që i jep jetë imazhit të idesë te Dostojevski është kuptimi i thellë i natyrës dialogjike të mendimit njerëzor, i natyrës dialogjike të idesë”. Gjithnjë sipas Bahtinit, ideja, siç e sheh atë artisti Dostojevski, “nuk është një formacion subjektiv psikologjik-individual me ‘seli të përhershme’ në kokën e njeriut, ajo është interindividuale dhe intersubjektive dhe sfera e qenies së saj nuk është ndërgjegjja individuale, por bashkësia dialogjike/polifonike ndërmjet tyre. 

Ndërkaq, sipas N.F. Alapatit, në punimin e tij për polifoninë e Xhojsit, në romanin polifonik “karakteret kanë liri maksimale, çka u lejon të diskutojnë me njëri-tjetrin, madje dhe me vetë autorin”, çka parakupton që autori në romanin polifonik është orientim ndërmjet orientimeve të tjera”. 
Por, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Xhojsi, Kadare është unik në dialogjizmin/polifoninë e tij. Pse? Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese. Te Kadare horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik tek ai krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin (zëra të ndryshëm që këndojnë me një motiv të caktuar). 
Ndërkaq, sipas Dervishit, te Kadare del unike dhe teknika e përgënjeshtrimit të horizontit të autorit. Kjo jo vetëm e identifikon Kadarenë si njërin nga prozatorët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, por dhe e bën atë unik edhe brenda kuadrit të përvojave të tekstit polifonik. Nëpërmjet kësaj teknike, që del në mënyrë të përkryer te “Dimri i vetmisë së madhe”, për herë të parë, jo vetëm në letërsinë shqipe, por dhe atë botërore, kemi një hero/personazh që është vetëm subjekt i plotë i fjalës së vet. 

Kjo realizohet në dy rrafshe: së pari, nëpërmjet alternimit “realitet” – vetëdije” dhe, së dyti në rrafshin e vetëdijes, nëpërmjet alternimit Intersubjektive/Interindividuale. Ky alternim në të dy rrafshet vjen gjithnjë nëpërmjet përgënjeshtrimit të horizontit të autorit. 
Njëkohësisht, brenda përvojës së tekstit polifonik, fjala vjen Dostojevski, Xhojsi, etj., Kadareja është unik në orientimin e tij drejt antropologjikes/kozmikes dhe jo etiko-morales. Është pikërisht kjo që e bën unike prozën e tij dhe dialogjizmin e saj, apo pafundësinë e keqe të dialogut. Intersubjektivja dhe interindividualja te Kadareja rreh te kodet antropologjike/kozmike dhe jo etiko-morale. 
Sipas studiuesit, dialogjizmi te proza e Kadaresë e bën atë unike në hullinë e teksteve polifonike, i cili në intersubjektive kushtëzon dhe sot polisemantikën e kësaj proze, një polisemantikë, që në raport me “metodën”, pra me kodin socrealist, prodhonte shqetësimin e ekuivokut dhe që në raport me lexuesin e sotëm, prodhon gjithnjë asociacione me “përbindëshat gjeografikë”, siç i quan vetë Kadareja. Dhe është pikërisht kjo teknikë e dialogut intersubjektiv, që i jep prozës së tij karakter universal. 

Te proza e Kadaresë mungon koha si kohë historike, por dhe si kohë optimiste e socrealizmit. Në zbritjen në vetëdije, drejt kahjeve të “kohëve të tjera”, kozmike, Kadareja është gjithashtu unik. Kjo gjë i jep prozës së tij karakter onirik dhe surreal. Prej këndej del se i tërë korpusi stilistik i tij është unik në prozën e shekullit të njëzetë. Dhe për këtë duhet shpërblyer. Që Kadare të kryesojë listën potenciale të shkrimtarëve kandidatë për Nobel kjo prej vitesh nuk përbën ndonjë çudi. Ndërsa arsyet e mësipërme shërbejnë si “carta blanca” që ai të fitojë Nobelin, institucioni që akordon këtë çmim që prej vitit 1902, siç ka dhe të shumtë që e kanë akuzuar atë për përzgjedhje të gabuara dhe me raste edhe të çuditshme. Megjithatë, kritikat përgjithësisht janë të natyrës gjeopolitike. /GSH
* Manjola Zaçellari, Studiuese 

Libohova Online