Pse e fshehu Zamira Rami vizitën e djeshme të kryeministrit në Gjirokastër?

Zamira Rami edi ramaKryeministri Edi Rama ishte një ditë më parë në Gjirokastër, ku mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të maternitetit të ri pranë spitalit rajonal “Omer Nishani”, si dhe inspektoi më pas punimet në aksin rrugor nga Sheshi i Çerçizit te Postblloku.

Rama shoqërohej gjatë kësaj vizite nga ministrat Beqaj e Kodheli, deputetë të qarkut, prefekti Flamur Bime,  zyrtarë lokalë të PS-së e LSI-së në administratën shtetërore, si dhe nga kryebashkiakja Zamira Rami.

Por ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vizita e Ramës, ajo që vihet re në faqen zyrtare të Bashkisë Gjirokastër dhe vetë kryebashkiakes Zamira Rami është fakti se vizita e kryeministrit nuk është pasqyruar fare. Në këto faqe nuk gjen qoftë edhe një foto të vetme të Zamira Ramit me kryeministrin, të paktën gjatë inspektimeve të punimeve në aksin që është në rikonstruksion. Po kështu nuk flitet fare as për projektin e restaurimit të 20 shtëpive që Rama anonçoi gjatë takimit të djeshëm.

Nuk dihet me siguri përse takimet janë fshehur, si në faqen e Bashkisë Gjirokastër ashtu edhe në faqen e kryebashkiakes Rami, por mund të ndodhë që të pasqyrohen ndoshta më vonë. Sidoqoftë nuk bën shumë sens që më parë të pasqyrohet një takim me edukatoret e kopshteve sesa një takim me kryeministrin.

Kjo vërehet në faqen e Bashkisë Gjirokastër. Arsye tjetër e heshtjes mund të jetë ndonjë pakënaqësi në raportet PS-LSI. Kujtojmë këtu që dje pas takimeve në Gjirokastër, kryeministri Rama ishte për drekë në një restorant pranë Viroit vetëm me përfaqësues të Partisë Socialiste, ndërkohë mungonin zyrtarët e LSI-së, si dhe kryebashkiakja Zamira Rami.

Dreka ishte organizuar nën kujdesin e prefektit Flamur Bime. Këtu ndoshta duhet kërkuar shpjegimi i heshtjes së Zamira Ramit dhe Bashkisë Gjirokastër për mospasqyrimin e vizitës së Ramës një ditë më parë.

|Libohova Online|