Qyfyre nga fushata në Gjirokastër, televizioni i LSI-së po kryen sondazh për zgjedhjet

Alpo Televizion në Gjirokastër ka disa ditë që njofton një sondazh për zgjedhjet e 25 qershorit. Spoti për këtë sondazh transmetohet disa herë në ditë, por ka dy elementë që kompromentojnë dhe gati e shndërrojnë në qesharake këtë përpjekje për të testuar opinionin publik.

E para sepse metodologjia nuk është e qartë. Në spot thuhet që mund të merrni pjesë në sondazh përmes telefonatave, mesazheve apo faqes në Facebook “Gjirokastra voton”. Nëse shkon te kjo faqe, s’ka asnjë opsion për të votuar, thjesht gjen video nga emisionet apo lajmet e Alpo Tv. Tjetra, kur bëhen sondazhet, janë qytetarët që kontaktohen për të dhënë opinionin e tyre. Ndërsa Alpo Tv pret që ta kontaktojnë vetë qytetarët dhe të shprehen se kë do të votojnë, PD, PS apo LSI.

Elementi i dytë që kompromenton sondazhin, është fakti se ai po kryhet nga një televizion i kontrolluar prej LSI-së.  Mos të gënjejë mendja askënd se rezultati i tij ka për të qenë i besueshëm. Po kontestohen sondazhet kombëtare të Ora News apo Report Tv me kompani italiane, si sondazhe të porositura nga partitë, e jo më të jetë i besueshëm sondazhi i Alpo Tv.

Sidoqoftë kjo mbetet një përpjekje e mirë për pak humor në këtë fushatë elektorale dhe Alpo Tv duhet falenderuar publikisht. Thuhet se rezultatet do të shpallen në datën 23 qershor. Pyetja 1 milion dollarë është kjo: Cilën parti do të shpallë fituese televizioni i LSI-së në Gjirokastër?!

/Libohova Online/