Qyfyre nga Gjirokastra, shoferët e ‘Argjiros’ akuzojnë Luiza Mandin pse ka shkuar në ministri dhe ka kërkuar të mos hiqet linja Libohovë-Tiranë

Shoferët e shoqërisë ‘Argjiro’ në Gjirokastër vijojnë protestën e tyre kundër asaj që ata e cilësojnë si konkurrencë të pandershme nga linja Dropull-Tiranë dhe Libohovë-Tiranë. Duke folur sot për mediat, një prej përfaqësuesve të kompanisë ‘Argjiro’ akuzoi kryebashkiaken e Libohovës, Luiza Mandi që sipas tij kishte shkuar në Ministrinë e Transporteve të interesohej për linjën e Libohovë-Tiranë.

“Ngrihet kryetarja e Bashkisë Libohovë, që e ka bërë këtë lëmsh, me lekë të qytetarëve libohovite, vete në Tiranë në ministri dhe interesohet se mos i heqin linjën. Këtu bëhen çudira, prandaj na ndihmoni”, tha përfaqësuesi i ‘Argjiros’.

Pra, nëse Luiza Mandi është interesuar në Ministrinë e Transporteve që linja Libohovë-Tiranë të mos hiqet, kjo sipas shoferëve të kompanisë ‘Argjiro’ është mëkat i madh dhe duhet vënë kuja. Po që se Mandi ka ndërhyrë që kjo linjë të mos hiqet, sigurisht që ka bërë shumë mirë. Libohova s’mund të jetë peng i një shoqërie të vetme që kërkon ruajë monopolin në Gjirokastër. ‘Argjiro’ ka plotësisht të drejtë që autobusët e linjës Libohovë-Tiranë të mos ndalojnë në Gjirokastër për të marrë pasagjerë, por nuk mund të vendosë që Libohova të mos ketë linjë drejt kryeqytetit.

Linja e transportit të Libohovës u vjen në ndihmë gjithë banorëve të kësaj zone; studentëve të shumtë dhe atyre që jetojnë e punojnë në Tiranë. Luiza Mandi duhet të ushtrojë të gjithë ndikimin e saj institucional dhe politik po qe nevoja, që linja Libohovë-Tiranë të mos hiqet vetëm për të kënaqur shoqërinë ‘Argjiro’.

© Libohova Online