Qytetari nga Gjirokastra denoncon drejtorin e RTSH-së: Po shfrytëzon pa të drejtë pronën time

Thoma Gëllçi, drejtor i Radio Televizionit Shqiptar, është denoncuar nga qytetari Mehmet Topulli, se po shfrytëzon pa të drejtë dhe në shkelje të ligjeve tokën e këtij të fundit. Sipas denoncimit të qytetarit, RTSH ka vendosur prej dy vitesh, në kalanë e Shëndërjadhës, në fshatin Topullarë të Gjirokastrës, një antenë që i shërben kalimit të sinjalit në këtë qark.

Por kjo antenë është vendosur në pronën private pa konsultim dhe pa asnjë kontratë me pronarin. Mehmet Topulli shprehet se në të njëjtën tokë kanë vendosur antenat e tyre kompaninë celulare që veprojnë në Shqipëri, duke lidhur kontratë të rregullt me pronarin, ndërkohë që i njëjti veprim nuk është kryer nga RTSH.

Topulli deklaron se dokumentacioni i tokës dhe kontratat me kompanitë e tjera private i janë vënë në dispozicion edhe stafit juridik të RTSH-së, gjithsesi, ky televizion vijon të mbajë pa kontratë antenën në tokën e tij.

Denoncimi i Mehmet Topullit:

RTSH në kuadër të digjitalizimit, prej dy vitesh ka vendosur në kalanë e Shënderjadhës, në fshatin Topullarë – pra në pronën time, që e zotëroj me gjithë dokumentacionin e nevojshëm – një antenë që i shërben kalimit të sinjalit të saj në Gjirokastër. Pa më pyetur, pa më konsultuar, e shfrytëzon territorin tim dhe pronën që une e trashëgoj nga të parët, si një prej familjeve më të vjetra gjirokastrite, pa asnjë kontratë, të cilën unë e posedoj me katër kompanitë celulare më të rëndësishme të vendit. Z.Thoma Gëllçi, drejtor i TVSH, pra televizionit shtetëror shqiptar, që do të duhet të shërbejë si pararojë për televizionet e tjera, kryen haptazi shkelje, së bashku me stafin juridik komplet të papërgatitur dhe injorant ndonëse i vënë para faktit të kryer dhe para një dokumentacioni të hollësishëm. Gjithashtu i vënë prej meje në dijeni për problemin në fjalë cenon pronën private në ndërgjegje të plotë dhe pa asnjë të drejtë./Politiko.al