Rama: Flamuri dhe “arrestimi” i vëllait tim, gjethe fiku për të mbuluar dhunën e serbëve

rama9Kryeministri Edi Rama shprehet se flamuri me simbole shqiptare i shpalosur mbrëmjen e djeshme në Beograd nuk mund të konsiderohet një provokim, në një fushë futbolli të mbushur me flamuj të Serbisë dhe tifozë që thërrisnin në kor “Vritini shqiptarët”.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kreu i qeverisë  theksoi se incidenti në stadiumin e Beogradit “ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë, por ishte një shfaqje plotësisht e dënueshme dhune dhe racizmi”.

Rreth ndeshjes nuk kanë munguar as komentet e politikanëve, kryeministri serb tha se shpalosja e flamurit ishte një provokim i rëndë politik. A mendoni se ngjarja e mbrëmshme mund të hedhë hije në axhendën e vizitës suaj në Beograd?
Momenti i futjes së flamurit fluturues në fushë, të cilin unë e ndoqa këtu në Harvard me njerëz që ishin nga shumë vende. Të gjithë qeshën dhe ju duk diçka e bukur. Larg zonës së nxehtë të urrejtjes, historisë së të shkuarës askush nuk u ndje i provokuar nga shfaqja e atij flamuri në atë moment. Kjo është thjesht dhe vetëm për të shprehur keqardhjen e thellë që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në një fushë ku kishte mijëra flamuj serb, të mund të përdoret si një alibi për të gjithë atë që ndodhi, që nga minuta kur u këndua himni dhe mijëra vetë ulërisnin vritini shqiptarët deri kur djemtë tanë dolën nga stadiumi. Ne si shqiptarë duhet të ndjehemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vet më negative si nj shëmbëlltyrë e të kaluarës që ne jemi të vendosur ta lemë mbrapa. politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet nga çfarë ndodh në një fushë futbolli.
Shtypi ndërkombëtar thotë se vëllai juaj është arrestuar lidhur me objektin fluturues dhe është liruar, cili është komenti juaj për këtë? 
Përsëri keqardhje për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që nuk tregon asgjë tjetër veçse përpjekjen për tu kapur pas një alibie tërësisht të montuar dhe për ta përdorur atë si një gjethe fiku për të fshehur lakuriqësinë me të cilën u shpalos dje në stadium urrejtja e së shkuarës. S’ka asgjë të vërtetë në të gjithë këtë, por ka vetëm një argument më shumë për të vërtetuar se sa larg realitetit dhe qëllimeve tona të përbashkëta ishte ajo që u shfaq dje.

Libohova Online