Raporti i akreditimit, ja çfarë thonë britanikët për Universitetin ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër

Akreditim me kusht, nga 1 deri në 5 vite për të gjitha universitetet publike e private në vend. Është ky vendimi përfundimtar që do të dalë sot nga mbledhja e Bordit të Akreditimit.

Por, në fakt, gjithçka është vendosur më herët, pas analizës së raporteve që kanë hartuar ekspertët e agjencisë britanike “Quality Assurance Agency” dhe ata vendas, pjesë e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, pas një periudhe 6-mujore.

Për të gjitha universitetet publike në vend është dhënë “OK”, me kushtin që në krye të një ose disa viteve të plotësojnë standardet, në të kundërt nuk do të funksionojnë si të tilla.

Në mbledhjen joformale të zhvilluar një ditë më parë është vendosur akreditimi me kusht për disa universitete, duke përmbyllur kështu procesin e vlerësimit për akreditimin e të gjitha IAL-ve në vend. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit pasqyrohet edhe kohëzgjatja e periudhës së vlefshmërisë.

Sa i përket Universitetit ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër, është lënë me kusht plotësimi i të pesë standardeve të marra në shqyrtim brenda 2 viteve.  Këto raporte të detajuara pritet t’i shkojnë në tryezë ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila nga ana e saj në bazë të tyre vendos nëse një institucion akreditohet ose jo.

Më poshtë lista me universitetet e tjera publike në vend dhe afati që i është lënë nga agjensia britanike për të përmbushur standardet.

REZULTATI PER AKREDITIMIN INSTITUCIONAL

Universiteti i Mjekësisë 5 vite

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan 3 vite

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës 4 vite

Universiteti Bujqësor i Tiranës 4 vite

Universiteti Politeknik i Tiranës 3 vite

Universiteti “Fan. S. Noli”, Korçë 4 vite

Universiteti i Tiranës 1 vit

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2 vite

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë 2 vite

Universiteti “Eqerem Çabej”, Gjirokastër 2 vite