Rikthehen zjarrvëniet e qëllimshme në Gjirokastër

Policia: Do të ndëshkohen gjithë barinjtë dhe shtetasit që identifikohen si autorë.

Rikthehen zjarrvëniet e qëllimshme në Gjirokastër. Është fatkeqësi, por ja që po ndodh.

Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë bërë që të shfaqen disa vatra zjarresh. Flakët kanë dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme kullote ndërkohë që dyshohet se në pjesën më të madhe të tyre kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme nga barinjtë.

“Gjatë ditëve të fundit ne kemi ndërhyrë në disa raste kur zjarret e shfaqura në kullota kanë rrezikuar edhe banorët. Pas lokalizimit të zjarreve është bërë e mundur edhe shmangia e rrezikut për komunitetin”, thotë drejtuesi i shërbimit zjarrfikës Kujtim Bizhga.

Ndërsa në bashkëpunim me policinë lokale ekspertet zjarrfikës  kanë hetuar shkaqet e zjarreve dyshohet që pjesa më e madhe e tyre të jenë vendosur qëllimisht nga barinjtë apo pronarët e kullotave. “Disa prej zjarreve të ditëve të fundit janë vendosur qëllimisht për djegien e kullotave nga barinjtë duke rrezikuar më pas jetën e banorëve si dhe pasurinë materiale të tyre”, shprehet Bizhga.

Në këtë drejtim policia lokale ndaloi një bari pasi dyshohet se i ka vendosur qëllimisht zjarrin një sipërfaqe kullote në afërsi të fshatit Mashkullorë. Për shmangien e problemeve që mund të krijojnë zjarrvëniet e qëllimshme në kullota zjarrfikësit apelojnë që barinjtë dhe pronarët e kullotave të tregohen të kujdesshëm.

“Nuk duhet të vazhdojë më tradita e djegies së qëllimshme të kullotave për ripërtëritjen e barit. Këto vatra zjarresh me problematikat që krijojnë në stinën e verës kthehen në kërcënim për banorët”, pohon drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës, Kujtim Bizhga.

Apelit të zjarrfikësve i është shtuar edhe thirrja e policisë lokale. “Ne do të hetojmë në detaje çdo rast zjarri që mund të regjistrohet gjatë kësaj vere në shtëpitë e banimit, biznese e veçanërisht në sipërfaqet pyjore dhe kullosore të rrethit të Gjirokastrës. Në rast se konstatohet fenomeni i zjarrvënies së qëllimshme në pyje dhe kullota kryesisht nga barinjtë, karshi tyre do të veprohet me të gjithë forcën e ligjit”, shprehen përfaqësuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë në Gjirokastër./konica.al/