Roland Bejko tregon pse humbi PD në Gjirokastër

Nga Roland Bejko

Shpreh mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë për të gjithë ata që punuan natë e ditë për fitoren e PD në Qarkun e Gjirokastrës, për drejtuesit e strukturave, kandidatët e listës, ata aleatë që ju përgjigjën realisht kualicionit, për komisionerët dhe numëruesit besnikë që nuk u tunduan nga eurot e pushtetit PS-LSI, si dhe për miqtë e të njohurit që na u gjendën pranë.

Mirënjohja ime shkon gjithashtu për gjithë demokratët që i rezistuan dhe nuk e shitën idealin dhe dinjitetin e tyre për pesë aspra te binomi kriminal shtet-mafie që deformoi me një strategji të hollë e të heshtur votën e lirë, në dobi të PS dhe LSI-së.

Do të ishte e pamundur të ruhej dhe mandati i vetëm që kishim në Gjirokastër në këtë situatë të paprecedentë nëse nuk do kishim ndihmën të rreth 500 emigeantëve, vendosmërinë e demokratëve të thjeshtë që nga Frashëri e Progonati e deri në Sotirë e Poliçan.

Meritojnë falenderim të veçantë zonat me rezultat më të mirë si Përmeti, Zinxhirat dhe veçanërisht bastioni i pamposhtur i njerëzve të lirë, Lazarati që i dha dërmën me 95 % të votave kundër Qeverisë së oligarkëve të pangopur të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Shpreh gjithashtu neverinë time më të thellë për të gjithë atë kategori njerëzish që trafikuan votën për interesa meskine, që u shitën për 10 mijë lekë, një thes miell, apo edhe me gënjeshtra për një vend pune në shtet.

Ndiej trishtim kur kujtoj se sa të painteresuar ishin njerëzit të dëgjonin dhe vlerësonin programin dhe alternativën e opozitës.( partitë e tjera nuk kishin program, vetëm bejte, e llogje pa peshë)

A na kërkonin lekë, euro e pako me ushqime?

Po, plot, sa të duash, në shumë zona të varfra në qytete dhe fshatra.

Gjithsesi ne duhet ta mrëkuptojmë votuesin dhe jo ta anatemojmë atë.

PS : Për zuzarët që nuk punuan në fushatë, punuan kundër a bojkotuan me mospjesëmarrje në zgjedhje nuk kam çfarë komentoj.