Rrëfehet Genc Ruli: Ky mund të jetë mandati im i fundit si deputet

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli, rrëfen fillesat e tij në jetën politike në vend, raportet me Sali Berishën, largimin nga PD në vitin 1997 dhe rikthimin në 2005.

Në një rrëfim në studion e “News24”, deputeti Ruli nga “Këndi i Ekselencës” në “Vila 24”, ndalet tek jeta profesionale dhe momentet kur është përballur me detyra të vështira.

Kur zgjedhjet parlamentare janë në prag ai nuk preferon sot të tregojë drejtim që kërkon të ndjekë në të ardhmen, ndërsa thotë se mund të mos vazhdojë më të merret me politikë.

“Gjatë karrierës sime politike kam qenë deputet i zonave të vështira, që në ‘92 kur kandidova në Gjirokastër që ka qenë bastion i së majtës. Më pëlqejnë zonat e vështira, por ende nuk e kam vendosur nëse do mund të vazhdoj apo mund të mos vazhdoj më në politikë”,- thotë Ruli.

Ruli, së bashku me Majlinda Bregun e Arben Imamin, ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj liderit aktual të PD-së, Lulzim Basha.

E duke u ndalur tek Basha ai deklaron se ka raport të mirë, por si lider e sheh në maturim e sipër. “Nuk është kollaj të bëhesh lider, duhet mjaft punë”,– thotë Ruli.