Rrëfehet gjyqtari Boçi: Gruaja më kërkoi divorcin, kush donte shkatërrimin tim

003gdfgPublikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi.
Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës.”Nuk është e vërtetë asgjë. Gjithçka është manipuluar për të më dëmtuar profesionalisht dhe shkatërruar si familje. Deri tani e ka realizuar sepse ime shoqe do të kërkojë divorcin…”.

Guximtar Boçi, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, i pezulluar dje nga KLD-ja, flet për herë të parë për gazetën “Panorama”, duke treguar në detaje se si njihet me denoncuesen e tij, Rudina I. në emisionin investigativ “Stop”.

Boçi, si në prononcimin paraprak të dhënë ditën e transmetimit të audios, thotë se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje, duke mohuar në çdo moment se është ai personi pas regjistrimit.

“Do të vërtetoj në kohën e duhur, me fakte dhe me prova, gjithçka rreth komplotit që më është shkaktuar me këtë kosto kaq të lartë, siç është deri në shkatërrimin e familjes”, thekson ai, duke konkluduar se gjithçka ka prapavijë politike.

Zoti Boçi, e keni ndjekur audion që u shfaq në një emision investigativ, ku ju keni qenë protagonist?

E kam ndjekur më vonë pasi është shfaqur, sepse kisha një gëzim familjar. Unë të enjten në orët e pasdites kisha çeljen e ceremonisë së dasmës së vajzës sime të madhe, Çeljetës, e cila martohet këtë të shtunë. Por sinjalet e shfaqjes së një materiali të tillë i mora kur po i gëzohesha festës së kolektivit të Gjykatës së Faktit, apo dhe të Apelit, dhe kolegëve të mi në Prokurorinë e Gjirokastrës. Pra kisha ftuar të gjithë kolektivin në një darkë, për nder të martesës së gocës sime të madhe. Imagjino, që këtu nis keqdashësia ndaj meje nga persona, interes i të cilëve është shkatërrimi im familjar, profesional dhe moral.

Cilët janë këta persona që juve mendoni se ju duan të keqen dhe a keni emra?

Unë sot për ju nuk do them asnjë emër, por do të vijë momenti që emrat e tyre do të dalin në zbardhjen e të gjithë këtij veprimi të pistë, në organet legjitime sepse kjo çështje do të ballafaqohet në gjykatë sepse vetëm kjo e fundit do të japë vlerësimet e duhura nëse Guxim Boçi është fajtor, a ka konsumuar qoftë edhe një vepër penale apo jo.