Rreziku nga zjarri në Gjirokastër, Libohova dhe Memaliaj dy bashkitë që s’kanë automjet zjarrfikës

Pas ngjarjeve tragjike të ndodhura në zonën e Atikës në Greqi ku shumë persona humbën jetën dhe u plagosën si pasojë e zjarreve masive, janë shtuar masat mbrojtëse ndaj zjarreve nga organet ligjzbatuese shqiptare, të cilat kanë vendosur në gatishmëri flotat e tyre zjarrfikëse. Në kuadër të këtyre masave, prefektura e Gjirokastrës ka angazhuar rreth 11 zjarrfikëse dhe 130 forca të cilat do t’u përgjigjen emergjencave të shkaktuara në rast zjarri.

Për të evituar rastet e zjarrit dhe mënyrën e ndërhyrjes për shuarjen e tyre trupat zjarrfikëse në këtë qark po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta, jo vetëm për të ndërhyrë në zonat pyjore, por edhe në qendrën e qytetit në rast se do të evidentohen vatra zjarri.

Çdo repart zjarrfikës në 7 bashkitë e qarkut Gjirokastër ka nga 13 punonjës ndërsa zjarrfikësja e qytetit Gjirokastrës ka rreth 45-50 punonjës të gatshëm për t’ju përgjigjur emergjencave të krijuara nga zjarret. Aktualisht të paplotësuar me mjete zjarrfikëse janë bashkitë Memaliaj dhe Libohovë, të cilat nuk kanë mjete, por disponojnë trupën si dhe mjete më pak të sofistikuara për shuarjen e zjarreve, si pompa, etj.