Rrjeti vaditës nuk funksionon, dëmtohen prodhimet bujqësore në Gjirokastër

Mosfunksionimi i rrjetit vaditës në tokat bujqësore në zonën e Gjirokastrës në këto ditë të nxehta vere po krijon probleme për fermerët.

Në disa raste mosfunksionimi i kanaleve vaditës ka bërë që sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore të mos mbillen, por edhe aty ku kultivohen kulturat e stinës ka ulje të ndjeshme të prodhimit.

“Thatësira e tejzgjatur e kësaj vere si edhe mosfunksionimi i kanaleve vaditës po dëmtojnë shumë prodhimin bujqësor. Në disa raste rendimenti i kulturave të stinës është përgjysmuar”, shprehet Anest Shuqo, fermer në zonën e Cepos.

“Pjesa më e madhe e prodhimit të perimeve të stinës që kultivoj është dëmtuar si shkak i thatësirës. Kanalet vaditëse në zonën tonë nuk funksionojnë çka bën që ti kemi sytë nga qielli në pritje të shiut”, thotë Sadri Bejko, fermer në fshatin “Arshi Lengo”. Në pjesën më të madhe të tyre kanalet vaditës janë bllokuar si shkak i depozitimit në vite të aluvioneve apo rrëshkitjes së dherave.

“Në tokat e fshatit tonë pjesa më e madhe e kanaleve vaditëse nuk është pastruar prej vitesh. Sivjet u punua në një pjesë të tyre, por sërish rrjeti vaditës ka probleme”, pohon Kosta Çuçi, fermer në zonën e Lunxhërisë. Krahas dëmtimit të kanaleve vaditëse problem për sipërfaqet bujqësore në zonën e Gjirokastrës ngelet edhe mosfunksionimi i stacioneve të pompimit.

Përpara viteve ’90-të një numër i konsiderueshëm stacionesh pompimi, furnizonin me ujë rrjetin vaditës ndërkohë që ato që punojnë aktualisht nuk mund të përballojnë kërkesat e fermerëve për vaditje.

Në këtë situatë pjesa më e madhe e fermerëve kanë shpuar puse me shpenzimet e veta duke bërë të mundur vaditjen e tokave bujqësore. Përfaqësues të bashkisë së Gjirokastrës shprehen se janë në dijeni të situatës ndërkohë që gjatë këtyre ditëve vere kanë ndërhyrë për rehabilitimin e një pjese të rrjetit vaditës ndërhyrje që do të vashdojnë edhe në javët e ardhshme.

Sipas drejtuesit të Agjensisë së Bujqësisë, Adi Matushi, mosfunksionimi i rrjetit vaditës është një problem i mbartur prej vitesh. “Ky problem nuk ka lindur sot. Kjo situatë ka si shkak dëmtimin e sistemeve të pompimit që nga fillimi i viteve 90-të. Në lidhje me mirëmbajtjen  e kanaleve kulluese shërbimi nga ana e bashkisë Gjirokastër do të jetë në vazhdimësi, nuk do të ndërpritet shërbimi për asnjë njësi administrative. E theksoj që vështirësi në vaditjen e tokave bujqësore haset edhe si shkak i pozicionit gjeografik të disa zonave administrative malore. Ka zona problematike në të cilat nuk funksionon rrjeti vaditës. Në këtë drejtim duhen investime madhore të cilat bashkia e Gjirokastrës nuk mund t’i përballojë vetëm me të ardhurat e saj”, shprehet drejtuesi i Agjensisë së Bujqësisë./konica.al