Seç m’u lodhën sytë – Nga Edmond Çano

 

 

 

 

Seç më zuri gripi
Dy herë në dy muaj
Një këngë dot s’këndova
Një tel dot s’e luaj

Fejsbukut iu futa
Me kokë iu hodha
Po një lajm të mirë
Dot nuk e lexova

Sherre me zarar
Për gardhin e shtrembër
Bam e bum tek ferrat
Qëllohen vëllezër

Bam e bum e sherr
Kundërshtarë partiakë
Duket Albania
Si një oturak

Ç’po ndodh sot me ty
Shqipëri moj trime
Nuk lexoj dot më
Vrasje, përdhunime

Vrasje, përdhunime
Në familje brënda
S’u shkruaj dot zogjve
Sot më humbi pënda

Seç m’u lodhën sytë
Të lexoj të liga
Më qëllon në zemër
Gazetari shtriga

Sot ca gazetarë
Unë i bëj me faj
Që dhimbjet e tua
M’i japin “detaj”

Po shpejt e kuptoj
Kot kapem me ta
Se në hatanë time
Ndihmë kisha ata

Kolegët e tyre
Kisha natyrisht
Se ata që them
Duan zënë me bisht

Hallin gjetkë kemi
Se çalojnë të gjitha
Ndaj ne more shokë
Marrim flakë nga bytha

Ndaj jemi barut
Me një gjak të nxehtë
Mjerim na ka kapur
Me dhëmbët e mprehtë

Humbet çdo llogjikë
E humbet njeriu
Faj ka veç ai
Që këtu na shtyu

E kuptojmë që vetë
U shtymë në errësirë
Ndaj dhe vetë të dalim
Të shohim më mirë

Ika se e heshtur
Më shikon kitara
Si dhe një copë letër
Mace lara – lara.