Shanisha Libohova, motra mizore e Ali Pashë Tepelenës

safe_imageNjë roman që qarkullonte në sallonet e Parisit që prej 1900-ës, vjen për herë të parë i përkthyer në gjuhën shqipe. I shkruar nga Aleksandër Duma, libri “Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe” na ofron një ndërthurje të letërsisë me historinë, duke sjellë detajet më të vogla të arsyeve që e bënë Ali Pashën, mizor dhe të pamëshirshëm. 

Në libër vijnë të gjitha krimet famëkeqe të “Luanit të Janinës” që dogji dhe masakroi fshatra të tërë por edhe  gratë me ndikim në jetën e tij, Hankoja, e ëma, Emineja gruaja e parë, Zyjbedja gruaja e të birit që Ali Pashai e përdhunoi, robina e bukur Vasiliqi që u shndërrua në gruan e tij apo Shanishaja, motra që kishte të njëjtën etje për gjak si vetë Pashai, e cila e shoqëroi të vëllain besnikërisht në të  gjitha krimet e tij…

Duket sikur mizoria e tij zë fill në formën  e një hakmarrjeje. Ajo për të çuar në vend amanetin e së ëmës, Hankos, e cila mallkoi dy fshatrat, Kardhiqin dhe Hormovën, burrat e të cilëve përdhunuan për një muaj rresht atë dhe të bijën, Shanishanë. Ali Pashë Tepelena si shpagim masakroi dhe dogji dy fshatrat.  “Pas një ore makabre, një heshtje ogurzezë ra mbi vendin e mbushur me kufoma. Aliu ndaloi çdo lloj riti varrimi, dhe vendosi mbi portë një mbishkrim me shkronja ari; informonte pasardhësit se 600 kardhiqiotë u sakrifikuan në kujtim të nënës së tij, Hankos”- rrëfehet në libër. Pastaj mizoria e tij shndërrohet në etje të pafundme për pushtet, ndërsa autori Aleksandër Duma shkruan se sundimi i Pashait të Janinës i kalonte hapësirat e  Suedisë dhe Norvegjisë të marra së bashku, por lakmia e tij nuk kishte fund. Ashtu si edhe lakmia për gratë e bukura. E para ishte Emineja,  gruaja e tij e parë e cila sikur arriti t’ia shfrenonte disi epshet e me të cilën pati dy djem. Emineja gjeti vdekjen nga egërsia e Ali Pashës.  

Pas vdekjes së saj krimi dhe pasioni ecnin në të njëjtën rrugë me Pashain. Pastaj ishte Vasiliqia, gruaja e tij e bukur të cilën e mori peng pasi i vrau të atin. Por duket se ajo që ka një ndikim të madh në jetën e pashait mizor ishte e motra, Shanishaja e cila shpërfaqte një etje për gjak njësoj si Aliu, e për të cilën vetë pashai me krenari do të dallonte ngjashmëritë…Ajo vriste dhe masakronte pa iu dridhur qerpiku, burra e gra. Aliu dhe Shanishaja, me duart shtrënguar, mbi eshtrat e së ëmës, u betuan se do t’i përmbushnin porositë e lëna nga Hanko në shtratin e vdekjes.“Kur klithmat e vdekjes reshtën në atë shesh të shndërruar në varr masiv, ato filluan të dëgjoheshin në qytet. Vrasësit u shpërndanë mëhallëve të qytetit dhe pasi goditën gra e fëmijë, i mblodhën për t’i dërguar në Libohovë. Në çdo ndalesë të këtij udhëtimi tmerrues, viktimat e mjeruara dhunoheshin mizorisht.

Më në fund, ata arritën në destinacion, ku i priste një triumfatore e pamëshirshme si Shanishaja. Ashtu siç ndodhi në Hormovë, ajo urdhëroi që grave t’u rruanin kokat. Tufat e flokëve të tyre ajo i futi në një dyshek, mbi të cilin shtrihej e qetë. Më pas urdhëroi që t’i zhvishnin dhe u tregoi gjithë gëzim masakrën e dikurshme të burrave, baballarëve, vëllezërve dhe bijve të tyre. Pasi u ndie e lumtur për fatkeqësinë e tyre, sikur të mos mjaftonte me kaq, ajo urdhëroi që gratë kardhiqiote të çoheshin herë pas here për të kënaqur epshet e ushtarëve”. Të gjitha këto rrëfime për jetën e Ali Pashë Tepelenës vijnë të përmbledhura në 100 faqe, të shkruara nga Aleksandër Duma në vitin 1862, 40 vjet pas vdekjes së Ali Pashës. Pikërisht atëherë ky francez nisi të shkruante një histori për të.“Ky libër është një zë i munguar në lëmin e botimeve për Ali Pashën, figura e të cilit përgjatë 50 viteve ka qenë pak e njohur, shpesh kontradiktore. Hapja e arkivave pas viteve ‘90 kanë sjellë dokumente e shënime të cilat kanë zbuluar por dhe kanë vendosur mjegull mbi shumë ngjarje të  shekullit të XIIX”, – thotë Alda Bardhyli, redaktorja e librit, i sjellë në shqip nga botimet “Sara’s”. I nisur të bënte një biografi të pashait shqiptar, Duma nuk i është shmangur dot shkrimtarit. Libri është një prozë ku ndërthuret letërsia me historinë, imagjinata me faktet, për të dhënë një përshkrim deri në detajet më të vogla të arsyeve që e bënë Ali Pashën, mizor dhe të pamëshirshëm

Shanishaja, motra mizore e Ali Pashait 

Në të njëjtën kohë, motra e tij, Shanishaja, shfaqi në sytë e Aliut një guxim të mahnitshëm. Pavarësisht se ç’mund të thuhej, ajo kishte bërë qëndresë ndaj trupave armike dhe vazhdonte të komandonte forcat e saj në kështjellën e Libohovës. Popullata vendase, të cilën ajo e kishte shtypur mizorisht, e donte të vdekur, por askush nuk guxonte ta sulmonte. Njerëzit besëtytë besonin se fantazma e nënës së saj, me të cilën Shanishaja kishte një komunikim të mistershëm, e vëzhgonte vazhdimisht për ta mbrojtur.

Fantazma kërcënuese e Hankos, siç thuhej, u ishte shfaqur disa banorëve të Tepelenës, duke iu tundur para syve kockat e kardhiqiotëve mjeranë dhe duke kërkuar mes rënkimesh ndëshkimin e viktimave të tjera. Dëshira për hakmarrje i kishte shtyrë disa burra trima të sfidonin këto rreziqe të panjohura, por dy herë rresht, një kalorës i veshur me të zeza i kishte paralajmëruar që të sprapseshin, dhe i kishte ndaluar që të vinin dorë mbi atë grua, të cilën vetëm Perëndia kishte të drejtë ta ndëshkonte; dhe në të dyja rastet ata ishin larguar me bisht ndër shalë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe këta trima, të turpëruar nga ajo lloj frike, tentuan ta sulmonin sërish Shanishanë.

Këtë herë erdhën të veshur me rroba në ngjyrë të gjelbër. Në fenë myslimane ngjyra e gjelbër është ngjyra e profetit. Këtë herë asnjë i huaj misterioz nuk i ndaloi dhe ata iu ngjitën malit duke përgjuar për ndonjë paralajmërim të mbinatyrshëm. Asnjë zhurmë nuk e trazoi heshtjen, përveç blegërimës së deleve dhe klithjeve të zogjve grabitqarë. Sapo iu afruan kështjellës së Libohovës, ata u bënë gati t’i kapnin rojat në befasi, duke besuar se aty kishte shumë prej tyre. Ngadalë u afruan, ashtu siç bëjnë gjahtarët kur gjurmojnë një dre. Kishin arritur te porta kryesore dhe morën masat që ta shpërthenin, kur papritur ajo u hap vetë. Ja ku ishte Shanishaja që qëndronte e vetme përpara tyre, me një karabinë në dorë dhe pistoleta në brez, ndërsa si rojë kishte dy qen të mëdhenj.

  • Ndaloni në vend, ju që guxoni të futeni këtu! – u thirri ajo. – As jeta ime e as thesari im nuk do të jetë ndonjëherë në mëshirën tuaj. Të bëjë ndonjëri nga ju edhe një hap të vetëm pa lejen time dhe toka poshtë këmbëve tuaja do t’ju gllabërojë. Katër tonë barut janë vendosur në këto bodrume. Pavarësisht qëllimit tuaj, unë do t’ju fal, ndonëse jeni njerëz të ndyrë. Madje do t’ju jap edhe këta thasë të mbushur me flori; besoj se kaq para i kompensojnë humbjet që ju kanë shkaktuar armiqtë e vëllait tim. Largohuni menjëherë pa thënë asnjë fjalë e mos guxoni të më shqetësoni përsëri! Një njeri si unë di të përdorë edhe mjete të tjera për t’ju shkatërruar, përveç barutit. Jeta nuk ka asnjë vlerë për mua! Mos e harroni këtë! Por malet tuaja janë ende në komandën time dhe mund të bëhen varret e grave dhe fëmijëve tuaj. M’u hiqni sysh!

Ajo heshti, ndërsa vrasësit e shastisur ia mbathën me të katra. Pak kohë më pas, nëpër male ra murtaja. Shanishaja u kishte dhënë ciganëve rroba të infektuara dhe epidemia përhapej kudo ku ata shkonin. – Eh, sa ngjajmë! – thoshte Aliu me krenari kur dëgjoi për bëmat e motrës së tij./Mapo