Shkarkohen drejtorët e shkollave të Libohovës?

Rreth 300 drejtorë të shkollave në mbarë vendin do të shkarkohen nga detyra. Paralajmërimin e bëri sot kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mësues në Tiranë. Kryeministri shkoi edhe më tej kur tha se do themelohet Shkolla e Drejtorëve dhe se procesi i zgjedhjes së mësuesve do të largohet përfundimisht nga duart e partive.

“Ne shpëtuam në 90% sistemin nga interferencat politike për mësuesit, se u bë e vështirë për shkak të portalit për të bërë ndërhyrje dhe qoka, por u hapën qokat për drejtorë. U bë më e lehtë të bësh drejtor se mësues. Dhe kemi dëgjuar që ‘Meqë mësues nuk më bën dot më bëj drejtor’. Nëse për mësuesit janë bërë disa përpjekje për trajnim, për drejtorët do të themelojmë shkollën e drejtorëve, si ajo e administratës, do të trajnohen dhe testohen. Zëvendësimi i 300 drejtorëve do të bëhen nga mësuesit që kanë dalë më mirë në test. Përzgjedhja do të bëhet në nivelin më të lartë të mësuesve”, tha Rama.

Më tej kryeministri foli edhe për shkrirje të drejtorive arsimore në qarqe. Sipas tij do të ketë vetëm 4 Drejtori Rajonale të Arsimit, jo sipas ndarjes administrative, por sipas një ndarje të re të zhvillimit të vendit me rajone. Roli i ri i DAR nuk do të ketë aspak lidhje me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve, tha Rama, por vetëm do të jetë garant i cilësisë në fushën e edukimit parauniversitar.