Shkarkohet Ardian Fullani

135-300x150Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shkarkon nga detyra e Guvernatorit, Ardian Fullanin. Vendimi u mor një ditë pas arrestimit të tij, në mbledhjen urgjente të thirrur mbrëmjen e djeshme.

U janë dashur rreth 3 orë e 40 minuta anëtarëve të Këshillit të marrin një vendim të tillë si dhe të analizojnë situatën e krijuar së fundmi në Bankë. Takimi u mbajt në një kompleks në “Rrugën e Dibrës”, ku ndodhet dhe zyra e zv/Guvernatores, Elisabeta Gjoni.

Po ashtu, në mbledhjen e djeshme, Këshilli ka komanduar zv/Guvernatoren, Elisabeta Gjoni në krye të BSH-së. Në bazë të ligjit për Bankën e Shqipërisë në mungesë të Guvernatorit ose në pamundësi të tij, kompetencat i kalojnë zv.Guvernatorit.

Në bazë të kësaj, drejtimin e Bankës së Shqipërisë aktualisht e merr në dorë zv.Guvernatorja Elisabeta Gjoni.

Pavarësisht mungesës së Guvernatorit Këshillimi Mbikëqyrës, i drejtuar nga zv.Guvernatorja ka për detyrë që të drejtojë mbledhjet si dhe të marrë vendimet e nevojshme në lidhje me zhvillimet ekonomike.

Ligji parashikon që vendimi i Këshillit për shkarkimin e Guvernatorit i propozohet parlamentit.

Është ky i fundit ai që do të japë vendimin final që tashmë duket i vendosur, ku, pas dhjetë vitesh nën qeverisjen e Fullanit, Banka e Shqipërisë do të ketë një tjetër Guvernator në krye të saj.

Shkarkimi

Është hera e parë që Banka e Shqipërisë drejtohet nga një zonjë edhe pse në këtë rast është e komanduar deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri. Guvernatori shkarkohet nga parlamenti dhe në javët në vijim pritet që të kemi dhe emrin e ri të institucionit më të lart financiar në vend.

Burime nga Këshilli bëjnë me dije se vendimi ka qenë unanim për shkak të situatës së krijuar me vjedhjen në Bankë. Vetëm tre javë më parë ishte po ky këshill që konfirmoi Ardian Fullanin në krye të Bankës.

Në atë votim ishte vetëm Ermelinda Meksi që kërkoi largimin e Fullanit, ndërsa dje i janë bashkuar të gjithë.

Pritet që edhe nga Këshilli mbikëqyrës të ketë dorëheqje për shkak të situatës së krijuar.

Pas përfundimit të mbledhjes Këshilli i Mbikëqyrës ka nxjerrë deklaratën për shtyp:

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj.Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:

a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;

b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;

c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;

Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Libohova Online