Shpallet organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ja të gjitha detajet

big_img_7871Shpallet sot organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, dhe zhvillimi i tij në datat 04-09 prill  2015, i cili do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.

Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2015 ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, kulinarisë, etj, të krijuara prej shekujsh nga populli.

Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Jomateriale, në mbledhjen e saj të fundit  në muajin korrik vendosi organizimin e  FFKGJ.

Në zbatim të punës dhe të masave organizative për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, është hartuar Statuti i FFK 2015 dhe plani i veprimit “Për koordinimin e punës për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2015”.

Kjo veprimtari e rëndësishme kombëtare, do të jetë prioritet i çdo Qarku, Bashkie e Qendre Kulturore, për një prezantim dinjitoz të të gjitha grupeve pjesëmarrëse në festival.

Konkurrimi në FFK do të jetë në bazë Qarku:

  • 12 grupe përfaqësuese të qarqeve
  • 50 artistë pjesëmarrës
  • Koha e konkurrimit  për çdo grup do të jetë 30 minuta
  • Në programet e çdo qarku do të përfshihen edhe vlerat kulturore që kanë minoritetet dhe pakicat gjuhësore që kryejnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të qarkut
  • Në FFK do të konkurrojnë edhe 3 grupe artistike nga Kosova
  • 2 grupe nga shqiptarët  e Maqedonisë  dhe një grup nga shqiptarët e Malit të Zi
  • Të ftuar do të jenë edhe grupe nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Sh.B.A-së, Greqisë, Turqisë, Zvicrës, si dhe do të ketë një shfaqje nga Ansambi Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Mendohet që në FFK të Gjirokastrës 2015 të ngjiten në skenë rreth 1200 artistë popullorë.
Në këtë fazë përgatitjeje po punojmë fort për:

  • Bashkëpunim dhe koordinim mes Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit , si dhe me pushtetin vendor.
  • Vendosjen e kritereve shkencore të pjesëmarrjes, që do të hartohen nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit si institucion i specializuar  në fushën e trashëgimisë kulturore ku saktësohen rregullat e pjesëmarrjes dhe paraqitjes në skenë të çdo grupi.
  • Eshtë vendosur që ky FFK do të ketë një skenografi të re më afër kërkesave të kohës si dhe për të përballuar më shumë veprimtari të ndryshme kulturore-artistike në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, të cilat do të shtojnë më shumë spektatorët dhe vizitorët pranë monumenteve të kulturës.
  • Ky FFK do të ketë Jurinë e tij e cila do të japë çmime si për grupet përfaqësuese në rang Qarku, për grupe zhanresh të ndryshme të folklorit dhe për individë apo bartës interpretues të ndryshëm. Gjithashtu janë parashikuar çmime për  poezinë popullore më të mirë, grupi me veshjet më  autentike popullore dhe për diversitetin kulturor.

Ministria e Kulturës dhe institucionet kombëtare në varësi të saj ngarkohen me ligj për mbrojtjen, konservimin, trajtimin, studimin, popullarizimin, inventarizimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Masat e marra, të munguara deri më sot:

  • Krijimi i një baze të dhënash për të gjitha shoqatat kulturore-artistike, rapsodë, interpretues e bartës të folklorit, deri më tani rezulton se kemi 80 Shoqata Kulturore-Artistike, 75 Ansamble Popullore,  36 rapsodë e bartës folklori, 34 orkestrina popullore, si dhe 20 artizanë prodhues të kostumeve popullore.
  • Gjendja e kostumeve popullore, për të cilat janë vrejtur shume deformime, degradime e abuzime si dhe amatorizën  në paraqitjen e tyre në skenë.  Ministria e Kulturës ka organizuar një pyetësor për të gjitha Prefekturat, Qarqet, Bashkitë dhe Qendrat Kulturore. Konstatojmë se deri tani rezulton se gjendja e kostumeve popullore, në 8 bashki  është rreth 25 % shumë të dëmtuara, 40 % me mungesa, 20 % të përdorëshme në skenë dhe 15 % me deformime të shumta.

Ngarkohen Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike që në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit të ndjekë nga afër të gjitha përgatitjet që do të bëhen për këtë veprimtari të rëndësishme kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale si dhe duke dhënë ndihmesë për mënyrën organizative dhe të përzgjedhjes profesionale të repertorit, kostumeve dhe instrumentave popullore.

Nisur nga :
përvoja 57-vjeçare e zhvillimit të festivaleve folklorike kombëtare, vlerat që kanë sjellë ato në promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare, por edhe mangësitë që kanë të bëjnë me grupet masive apo shfaqjet që denatyrojnë folklorin ; lëvizjet masive të popullsisë nga zonat e thella në qendrat e mëdha urbane të vendit; emigracioni i gjerë dhe hapja e Shqipërisë me botën;
synohet që organizimi i FFK , Gjirokastër 2015 do te realizojë:

  • mbrojtjen, promovimin dhe popullarizimin e vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh nga populli ynë;
  • tërheqjen e brezit të ri në veprimtaritë e trashëgimisë jomateriale duke realizuar kalimin e këtyre vlerave nga brezi në brez ;
  • pasqyrimin më të gjerë të të gjitha gjinive të folklorit dhe vlerave të tij;
  • rëndësinë që do t’i kushtohet evidentimit të krijimeve folklorike, me karakter improvizues, lodra me karakter imitativ, pantonimik e humoristik, krijimet që lidhen me festat tradicionale popullore dhe ato me karakter ritual;
  • si dhe, evidentimin e krijimeve më të lashta duke ruajtur pastërtinë burimore.

Për sa më lart, në këtë Festival do të evitohen shfaqjet që denatyrojnë folklorin, tendencat dhe elementët e tepruar spektakolarë dhe amatorizmi.

Ky Festival do të pasqyrojë edhe:

  • zgjerimin e shtrirjes gjeografike nëpërmjet pjesëmarrjes së grupeve nga trojet etnike, arbëreshët dhe arvanitasit, diaspora;
  • përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare dhe thesareve të jashtëzakonëshme të saj;

Për herë të parë do të kemi një bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit të Kosovës në planin artistik dhe financiar.