Shqipëria inaguron “Loro Boriçin” me një miqësore ndaj Kroacisë

alb_0-300x165Shqipëria do të zhvillojë një miqësore luksi për përurimin e stadiumit “Loro Boriçi”. Kroacia mund të jetë kundërshtari i Shqipërisë në mars, muaj në të cilin do të inaugurohet edhe stadiumi i ri në Shkodër.

Ishte menduar Turqia si ekipi i parë kundërshtar që do të shkelte në tapetin e impiantit të ri.

Në ditën e hedhjes së shortit për Europianin, trajneri De Biasi bisedoi personalisht me trajnerin turk Fatih Terim, si dhe drejtuesit e federatave rreth mundësisë për të zhvilluar një miqësore.

Duke qenë se nuk është marrë ende konfirmimi zyrtar nga federata turke, burime pranë FSHF-së për gazetën “Panorama Sport”, bëjnë me dije se po zhvillohen bisedime që të jetë Kroacia kundërshtari i parë i kuqezinjve në mars, të cilët njihen si kundërshtar të Serbisë.

Momentalisht është shtruar tapeti i fushës, si dhe ka nisur puna për vendosjen e mbulesës së tribunës qendrore dhe po ashtu edhe për fasadat e xhamit. Natyrisht që ka ende shumë punë, por brenda dy muajsh gjithçka mund të zgjidhet dhe stadiumi “Loro Boriçi” të inaugurohet në mars, me një ndeshje të Kombëtares sonë.

Ky impiant pritet që të ketë një kapacitet rreth 17000 vendesh, me një kosto të përafërt me 12 milionë euro. Drejtues të FSHF-së kanë bërë me dije që ai do të përfundojë në fund të muajit shkurt, nëse punimet do të ecin me ritmin e duhur.