‘Shqiponjat’ prangosin një polic dhe një 16 vjeçar në Gjirokastër, nga frika prenë hashashin para kohe dhe po e transportonin me furgon

Një punonjës policie dhe një 16 vjeçar janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga efektivët e “Shqiponjave” dhe ata të Komisariatit të Tepelenës, pasi po transportonin me furgon hashash.

Sipas Policisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Transportuesi”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. K., 23 vjeç, punonjës policie, dhe K. H., 16 vjeç, banues në Vlorë.

Si pasojë e trysnisë së kontrollit të imtësishëm të territorit nga shërbimet e Policisë, duke përdorur dronë dhe helikopterë, shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale i kanë prerë bimët narkotike para kohe.

Shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe në aksin rrugor Dukaj-Salari kanë konstatuar mjetin furgon me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjer shtetasin K. H., duke transportuar bimët narkotike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjeti furgon, bimët narkotike, arma e shërbimit të punonjësit të Policisë dhe 3 aparate celular. Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe SHÇBA-në vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.