Shtëpia e Babametove, një histori suksesi në Gjirokastër

Babameto-448x300Një përshkrim i munguar për një projekt unikal në qytetin që kërkon të tërheqë vëmendjen jo vetëm të turistëve por sidomos të atyre që ende jetojnë atje

Kam patur fatin të qëndroj dy herë në shtëpinë e restauruar të Babametove në Gjirokastër. Herën e parë ishte qëndrimi gjatë dy ditëve të lagështa e me shi të nëntorit një vit më parë. Ndërsa vizita e dytë ishte një drekë që mundëm të konsumonim në katin e parë të shtëpisë, e që kishte në menu gatime të thjeshta e tradicionale.

Për shkak të punës, unë udhëtoj shumë shpesh. Por jam shumë i sinqertë kur them se ndjesia e të qënit mik në shtëpinë tashmë hostel të Babametove është shumë e veçantë.

Në dhomat e mëdha e gati gati mitike të asaj shtëpie te madhe gjirokastrite mund të dallosh lehtë dorën e restauratorëve të cilët kanë ruajtur deri në fund ngjyrat dhe materialet e hershme. Druri i ri i përdorur për të plotësuar strukturat dikur të rrënuara të kësaj shtëpie të madhe, është vërtet me ngjyrë më të lehtë se druri i vjetër por kjo, në thelb është ndjesia më e bukur kur gjendesh atje: kupton se tradita dhe vlerat e së kaluarës mund të shpëtohen.

Shtëpia e Babametove ka një pozicion strategjik mbi qafën e pazarit në Gjirokastër. Eshtë lehtësisht e akesueshme, është e pajisur me internet, është afër çdo gjëje tjetër me vlerë e histori në atë qytet, dhe është një ambient ku njerëz të mirë dhe profesionistë punojnë çdo ditë për ta shndërruar në një shtëpi model e në një shembull se si mund të funksionojnë dhjetëra shtëpi të tjera të braktisura në atë qytet.

Në një prej salloneve me dysheme druri në katin e dytë mund të shikoje fotografi unikale të familjarëve që nga vitet 20-të të shekullit të kaluar e më pas. Ajo hapësirë e shtëpisë ishte një muze i mirëfilltë fotografik që të linte shijen e një epokë të harruar që befas kishte ndalur vetëm aty, në katin e dytë…

Eshtë shumë interesante historia e dhjetëra e dhjetëra pasardhësve të asaj shtëpie të cilët jetojnë në kontinente të ndryshme sot. U bashkuan si në asnjë rast tjetër më parë tek ideja që pati Fondacioni Gjirokastra e CHwB e të tjerë partnerë lokalë e ndërkombëtarë jo vetëm për ta restauruar shtëpinë e të parëve të tyre por edhe për ta shndërruar në një ambient funksional. Eshtë një histori e mirëfilltë suksesi në Gjirokastër./Kristi Pinderi, historia-ime.com

Libohova Online