Shtyllat i ka marrë lumi, elektriçistët e OSHEE Gjirokastër në terren për të rikthyer energjinë në Cepo e Lunxhëri (FOTO)

Moti i keq i ditëve të fundit ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në zonën e Lunxhërisë dhe Cepos në Gjirokastër. Krahas ekipeve të emergjencave civile në terren janë gjithashtu edhe elektriçistët e OSHEE. Gjatë dy ditëve të fundit po punohet në terrene të vështira për të ringritur shtyllat e rrëzuara dhe rilidhur telat e shkëputur. Siç shihet në fotot që sjell argjirolajm.net dëmtimet janë të konsiderueshme. Në pjesë të tjera të qarkut Gjirokastër furnizimi me energji elektrike vijon normalisht, me ndonjë përjashtim të vogël në zona të thella malore. Parashikimet janë që moti i keq do të vijojë edhe në tri ditët e ardhshme.