Si ndryshon ligji për kryebashkiakët, kompetencat dhe numri i mandateve

qeveria-ramaKryetari i bashkive mund të ketë mundësi që të rizgjidhen jo më shumë se tri mandate. Kjo është përcaktuar në projektligjin e ri të qeverisë “Për vetëqeverisjen vendore”, i depozituar zyrtarisht në Kuvend.

Qeveria kishte premtuar se kryetarët e bashkive nuk do të qëndrojnë jo më shumë se dy mandate, për t’i kufizuar qëndrimin pa kufi për  ato drejtues lokal që në Shqipëri cilësoheshin si feudalë apo bejlerë, por papritur ia ka zgjatur dhe një mandat ‘mbretërimin’ e tyre. “1. Çdo bashki ka kryetarin e saj të zgjedhur sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor. 2. Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje. 3. Kryetari i bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i zëvendëskryetarëve caktohet nga kryetari i bashkisë, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore.

Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhen nga kryetari i bashkisë. 4. Zëvendëskryetari i bashkisë nuk mund të jetë anëtar i këshillit bashkiak”, thuhet në nenin 59 të draftit. Modelin, qeveria e ka bazuar tek ai italian, porse shteti përtej Adriatikut e ka me dy mandate kryebashkiakun, por me një mandat 5-vjeçar. Ndërsa vendi ynë i jep të drejtën për tre mandate me 12 vite radhazi. “Projektligji sanksionon për herë të parë “kufizimin e mandatit” për kryetarët e bashkive në vetëm tri mandate radhazi. Ky mekanizëm në kushtet e një demokracie akoma jofunksionale në Shqipëri garanton konkurrencë dhe hapje të garës për kandidatura të reja dhe alternative dhe përmirësim të qeverisjes demokratike në nivel lokal. Modeli i ndjekur në projektligj bazohet në modelin italian, i cili kufizon mandatet e kryetarëve të bashkive në vetëm 2 mandate radhazi (mandati është 5-vjeçar).

Projektligji forcon rolin e kryetarit të bashkisë si organ ekzekutiv duke i dhënë kompetenca të qarta në drejtim të administrimit dhe organizmit të strukturave të bashkisë, të njësive administrative dhe ndërmarrjeve në varësi, por gjithashtu edhe në drejtim të përfaqësimit juridik në raport me të tretë, veçanërisht në raport me shoqëritë tregtare me kapital të bashkisë, çështje që ka qenë problematike në vitet e kaluara”, thuhet në relacionin e qeverisë. Ndërsa neni 62 përcakton dhe rrethanat kur ndodh shkarkimi i kryetarit të bashkisë nga detyra që përfshin shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve, dënimin për vepra penale dhe mosparaqitjen në detyrë për 3 muaj, shkruan Shqip.

Neni 63 përcakton edhe simbolin e kryetarit të bashkisë që mbahet nga ai në raste të shënuara. Mandati i kryebashkiakut mbaron në rastet kur zgjidhet deputet, apo dhe kur nuk është më banorë i qytetit që e ka zgjedhur.  Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë bashkitë dhe qarqet, të cilat realizojnë vetëqeverisjen vendore në Republikën e Shqipërisë.

Qarku është njësia e dytë e qeverisjes vendore, ndërsa e para është bashkia. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të marrin hua, në përputhje me legjislacionin që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor, huamarrjen vendore dhe financat vendore.

Këshilli bashkiak shpërndahet në rastet kur nuk miratohet buxheti brenda afatit të përcaktuar në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor. Në këtë rast, prefekti i kërkon kryetarit të bashkisë të thërrasë mbledhjen e këshillit bashkiak, e cila duhet të mbahet jo më vonë se 10 ditë nga data e mbarimit të këtij afati.

Në rast se edhe në këtë rast këshilli bashkiak nuk arrin të miratojë buxhetin, vendoset shpërndarja e tij para kohe, si dhe kur kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve. Ndërsa është përcaktuar se funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me: a) funksionin e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të bashkisë; b) funksionin e sekretarit të këshillit bashkiak; c) funksionin e nëpunësit të administratës së bashkisë përkatëse dhe institucioneve në varësi të saj; ç) funksionin e deputetit. d) funksionin e ministrit. “Një person nuk mund të zgjidhet në të njëjtën kohë në më shumë se një këshill bashkiak. Nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat e lidhur: bashkëshortë, prindër e fëmijë, vëlla e motër, si dhe vjehrri e vjehrra me nusen e dhëndrin”, thuhet në nenit 47 të projektligjit.

Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje, si rregull, mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak. Ndërsa do të përcaktohen administratorët e njësive dhe të lagjeve. Ndërsa është parashikuar që të krijohen këshillat e qytetarëve të lagjeve.

Si rregull, në çdo lagje krijohet një këshill komunitar. Këshilli bashkiak mund të vendosë që në një lagje të krijohen më shumë se dy këshilla komunitarë ose bashkimin e këshillave të dy apo më shumë lagjeve. Ndërsa fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Kryesia është organ këshillimor i kryetarit. Kryetari i bashkisë ka të drejtën e kthimit një mbrapsht për rishikim të vendimeve të Këshillit. “Kthen për rishqyrtim jo më shumë se një herë në këshill vendime, kur vëren se ato cenojnë interesa të bashkësisë. Në rastin e kthimit të vendimit të këshillit nga kryetari i bashkisë, këshilli mund të miratojë të njëjtin vendim vetëm me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës të të gjithë anëtarëve”, thuhet në pikën I të nenit 64.