S’ka vetëm shqiptarë, por edhe grekë që i bashkohen xhihadistëve të ISIS

2014-09-14-terror1Shërbimet sekrete greke janë vënë në alarm pas informacioneve se në grupin e xhihadistëve të ISIS-it janë rreshtuar edhe shtetas grekë.

Lajmi publikohet nga mediat greke dhe i referohet një burimi të shërbimeve sekrete.

Sipas informacioneve të para, shërbimet sekrete kanë konfirmuar identitetin e një 27-vjeçari, i cili ka marrë shtetësinë greke në vitin 2001, ndërsa dy persona të tjerë që kanë udhëtuar nga Greqia janë vrarë në luftime.

Burimet nga policia raportuan se 27-vjeçari është rekrutuar prej nënës së tij, e cila ndodhet në Siri, dhe nëpërmjet rrjeteve sociale propagandon xhihadin. Gjithashtu shërbimet sekrete greke kanë identifikuar edhe 7 anëtarë të tjerë të organizatës famëkeqe islamike, që jetojnë ende në Greqi dhe po tentojnë të largohen drejt Sirisë, për t’u rreshtuar përkrah luftëtarëve islamikë në Levant.

Rekrutimi i tyre është bërë në ambientet e fshehta që përdorin anëtarët e sekteve myslimane për t’u falur, pasi në kryeqytetin helen nuk është bërë ende i mundur ndërtimi i një xhamie, ku anëtarët e fesë islame të kryejnë ritet e tyre fetare.

Dyshohet se numri i tyre llogaritet në disa dhjetëra ose qindra, por sipas autoriteteve greke celulat islamike janë nën kontroll të rreptë prej shërbimeve greke dhe atyre amerikane.

Policia greke në bashkëpunim me shërbimet turke dhe amerikane të inteligjencës, pak muaj më parë arrestuan disa shtetas turq me origjinë kurde, të cilët ishin të dyshuar si anëtarë të organizatave terroriste, ndërsa shërbimet greke po hetojnë edhe një numër emigrantësh nga vendet e Lindjes së Mesme, si anëtarë të celulave xhihadiste./Shekulli