Spiro Ksera e Roland Bejko kanë marrë kredi nga shteti. Figurojnë si të pastrehë…

Mbi 140 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, por edhe artistë kanë marrë kredi shteti nga Enti Kombëtar të Banesave, shkruan Shqiptarja.com Pra janë trajtuar si të pastrehë. Mes tyre ka edhe emra të njohur si ish-kreu i SHISH Visho Ajazi, këngëtarja Vikena Kamenica, ish-deputeti i PD-së Gjergji Papa, deputeti Oerd Bylykbashi e plot persona të tjerë publikë. Sa i përket Gjirokastrës, në listë figuron ish-ministri i Punës, Spiro Ksera dhe kreu i PD-së, Roland Bejko. Po kështu edhe ish-shefi i kabinetit të Kserës, Kleves Bitro, figuron në listë si person që ka marrë kredi nga shteti. Kujtojmë që Spiro Ksera është dënuar me burg për korrupsion, ndërsa Kleves Bitroi iu fsheh drejtësisë që prej vitit 2013, por u arrestua në verën e vitit 2015.

Vartësi i Kserës akuzohej pë mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Ndonëse shumica e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve posedojnë shtëpi luksoze, pasuri të tjera apo makina që kushtojnë gati sa një banesë, ata marrin kredi nga shteti si të pastrehë për të përfituar nga interesat e vogla apo nga amnistitë që bëhen herë pas here. Kështu, në një variant të ligjit që u tentua të kalohej në parlament disa javë më parë, parashikohej falja e kësteve të mbetura të kredisë edhe për zyrtarët që kanë përfituar nga Enti Kombëtar i Banesave.