Spitali i Gjirokastrës, drejtori Mamani reagon pas akuzave të PD-së

12189990_10203800950382699_4584347427234857752_nPas deklaratës së Partisë Demokratike Dega Gjirokastër, ku denoncohej gjendje në spitalin rajonal “Omer Nishani”, ka reaguar drejtori i këtij institucioni, Armand Mamani. Përmes një shënimi në faqen e tij në Facebook, ai hedh poshtë pretendimet e Roland Bejkos se në spital nuk kryhen operacione. Mamani sqaron se situata problematike e krijuar prej gati 10 vjetësh, lidhet me bllokimin që qeverisja e PD-së i kishte bërë specializimeve në Mjekësi. Sa i përket akuzave të tjera për emërime partiake në spital, drejtori i këtij institucioni shprehet se “është e kotë të merret, pasi qytetarët e kanë parë vetë ndryshimin”. Lexoni më poshtë të plotë reagimin e tij:

“Duke marrë shkas nga opinionet negative që janë ngritur ditët e fundit ndaj punës në Spitali Rajonal Gjirokaster si dhe ndaj meje personalisht, ndiej detyrim të informoj drejt qytetarët për punën e Spitalit në mënyrë që të mos bien pre e keqinformimit dashakeqës që bëri në deklaratën e tij kreu i Partisë Demokratike Gjirokastër z. Roland Bejko
Së pari nuk është aspak e vërtetë që në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër nuk kryhen operacione.

Periudha e shkurtër në të cilën nuk u kryen nuk mund të jetë argument për punën e Spitalit dhe të Drejtorit pasi historia e ndërprerjes së operacioneve ka 10 vjet që vazhdon pra ka filluar që në kohën kur Spitali dhe institucionet shëndetësore drejtoheshin nga funksionarë të PD. Megjithatë Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria Shqiptare po merr masa për stabilizimin e këtij problemi të mbartur që nuk është vetëm për mjekët reanimatorë por me specialistët në përgjithësi. Po përmend faktin që specializimet ndryshe nga si ka qënë më parë (kishte 4 vjet që nuk dilnin mjekë specialistë) tani hapen cdo vit, kjo con në rritjen e numrit të mjekëve specialistë por sigurisht që do kohën e vet për të ndjerë ndryshimet.

Gjithashtu me VKM nr. 685 datë 29/7/2015 për mjekët që do të punojnë në rrethe jepet një shpërblim prej 100.000 lekë të reja në muaj. Këto masa sigurisht që do ta lehtësojnë këtë ngërc të mbartur në vite. Nëse ndonjëri prej funksionarëve të PD Gjirokastër që ka drejtuar institucione shëndetësore ka patur ndonjë ide tjetër për mënyrën si të zgjidhet jam i hapur ta dëgjoj me vëmendje.

Për “faktet” e tjera që flitet në deklaratë është e kotë që të merrem me përgjigjet e tyre pasi 260 punonjës dhe gjithë qytetarët që kanë patur lidhje apo probleme në Spital, bashkë me familjet e tyre e kanë parë vetë ndryshimin. Spitali është kthyer në kantier për përmirësimin total të kushteve dhe kjo falë investimeve të Qeverisë Shqiptare, punës së pacmuar të deputetëve të majtë të Gjirokastrës dhe sigurisht falë punës së punonjësve të Spitalit dhe organizimit nga Drejtoria”, shkruan Armand Mamani, drejtori i spitalit të Gjirokastrës.