Stina e çative, vazhdon ende tradita e mbulimit me pllaka guri (Foto)

01Muajt e verës njihen ndryshe edhe si stina e çative. Kjo është periudha më e mirë për të rikonstruktuar çatinë e shtëpisë, për ta mirëmbajtur nga dëmtimet që pëson kryesisht gjatë dimrit apo ndër vite. Tregu sot ofron një larmi të madhe të tjegullave dhe materialeve të tjera për mbulimin sa më të mirë të çatisë, por ndërkohë ka një numër të madh njerëzish që vazhdojnë i qëndrojnë fanatikë mënyrës tradicionale, aq shumë të përdorur në zonën e Gjirokastrës, Libohovës, Dropullit etj.

Bëhet fjalë për mbulimin me pllaka guri, të cilat mbështeten në binarë prej druri. Nëse pyet se përse përdoret kjo mënyrë, dëgjon shpjegime të ndryshme, shpesh dhe që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Njëra palë thonë se shtëpitë mbuloheshin njëherë e një kohë me pllaka guri sepse s’kishte mundësi tjetër, varfëria bënte punën e vet. Ndërkohë që ka tjerë që thonë se ustallarët e parë, ia dinin “lezetin” këtyre pllakave ndaj i përdornin. Sipas tyre, ato e mbajnë freskët shtëpinë gjatë verës, pasi nuk nxehen njësoj si tjegullat.

Megjithatë duhet thënë se pesha e tyre në çati është relativisht e lartë. Fotot që shihni janë shkrepur në qendër të Libohovës, ku po rikonstruktohet një shtëpi pranë sarajeve të Mufid Libohovës. Po ruhet stili i vjetër, duke përdorur sërish pllakat e gurit, të cilat historikisht janë nxjerrë në Dropull, në shpatet e Malit të Gjerë. Përkundër dëshirës së disave për të ruajtur stilin e vjetër të mbulimit të çative, vihet re edhe mungesa e mjeshtrave të gurit, e ustallarëve që merren me këtë punë. Në Gjirokastër ka pak të tillë, po kështu edhe në Libohovë. Ky zanat nuk trashëgohet brez pas brezi edhe pse zona në të cilën jetojmë, e lyp një nevojë të tillë.

Gjirokastra, do të ketë nevojë gjithmonë për mjeshtra të gurit, të punimit të çative apo kalldrëmeve. Vitet e fundit u çelën disa kurse për përgatitjen e mjeshtrave të gurit, por sërish interesimi është i ulët. Rikonstruksioni i çative me pllaka guri, përveç të mirave që mund të ketë, duhet thënë se ka një kosto relativisht të lartë. Kjo për shkak se kanë mbetur shumë pak ustallarë që merren me këtë punë, por edhe se pllakat e gurit që përgatiten nga firmat e ndërtimit, kanë një çmim të lartë.

02

04

Libohova Online