Strehimi i refugjatëve, dy ish-repartet në Gjirokastër pa dyer e dritare

tmp_18196-Screenshot_2016-04-01-22-13-23389680592Ndërkohë që kemi hyrë në muajin prill, kjo është situata që ofrohet në dy nga pikat e planifikuara si baza për një pritje të mundshme të refugjatëve të ardhur nga vendet në konflikt në Lindjen e Mesme.

Edhe pse zyrtarë të ministrisë së Brendshme kanë deklaruar se nuk mund të merren masa pa pasur një plan konkret për ardhjen e refugjatëve, ajo që shihet qartë është se në këto godina mungojnë edhe kushtet minimale, që janë dyert e dritaret, e në disa raste edhe çatia, çka nuk mund të zgjidhet brenda pak ditëve pasi të jepet sinjali konkret për kalimin e kufirit të këtyre refugjatëve që prej javësh qëndrojnë disa km larg territorit shqiptar.

Rreth 10 ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza, pohoi në Neës 24 se në Gjirokastër janë dy pika të mundshme strehimi, por ajo më kryesorja është në ish-repartin ushtarak të “Arshi Lengo”, që ndodhet jo më shumë se 2 km larg qytetit të Gjirokastrës.

Neës 24, ju sjell pamjet e këtij reparti, të cilat nuk duan koment. Godina të braktisura dhe krejtësisht të papërshtatshme për strehim, krejt ndryshe nga ajo që fqinjët tanë grekë u ofruan refugjatëve sirianë në zonat shumë pranë kufirit si ajo e Konicës ku kamera e Neës 24 pa nga afër gjendjen e refugjatëve. Krahasimi është i thjeshtë.

Pika tjetër e përcaktuar si një bazë e mundshme për akomodimin e refugjatëve është ish-reparti i Gërhotit, në hyrje të Gjirokastrës.

Të vendosur nga qeveria greke në zona shumë pranë kufirit shqiptar, refugjatët e shohin Shqipërinë si pikën kryesore të kalimit ku nuk mungojnë as përpjekjet për kalimin e kufirit të gjelbër në mënyrë të paligjshme. Vetëm një javë më parë Policia Kufitare e Kakavijes ndaloi 6 shtetas sirianë dhe vuri në pranga shoqëruesin e tyre shqiptar që kish marrë përsipër kalimin e tyre në tokën shqiptare, kundrejt pagesës prej 300 euro për person. Ndërkohë raportohet për të tjera raste të tentativave të kalimit të kufirit shqiptaro – grek, raste të ndaluara nga policia kufitare greke. Të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër vetëm dëshmojnë sa pranë mbërritjes në tokën shqiptare është fluksi i refugjatëve nga lindja e mesme që ndodhen në Greqi./Bw