Takim me bizneset e jugut, Kumbaro: Investimet në Gjirokastër rritën numrin e turistëve, shfrytëzoni të gjithë potencialet e qarkut

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi kanë zhvilluar sot një takim me Dhomën e Tregtisë së qarkut Gjirokastër.

Gjatë fjalës së saj Kumbaro tha se nuk është shfrytëzuar ende fakti që Gjirokastra është një markë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, ndonëse vitet e fundit është kthyer vëmendja ndaj asetit më të rëndësishëm që ne kemi; trashëgimisë kulturore.

“Nëse ka një kthim vëmendje ndaj asetit më të madh që ne kemi, trashëgimisë kulturore, kjo vjen si pasojë e ndërthurjes së investimeve mes “Rilindjes Urbane” dhe investimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Gjirokastra nuk mund të funksionojë si e veçuar nga qarku, Gjirokastra ka potencial për më shumë”, u shpreh ministrja.

Më tej ajo solli në vëmendje shifrat i vizitorëve nga viti 2013 deri në vitin 2016, duke vënë theksin tek rëndësia që ka promovimi.

“Për të dhënë një shembull sesa  i rëndësishëm është promovimi dua të sjell vetëm një fakt. Në vitin  2013 vetëm nga biletat, rezultonte se Kalaja ishte  vizituar nga 6900 turistë. Ndërsa në vitin 2016 falë një promovimi të fortë që ne i bëmë Gjirokastrës, por dhe investimeve të nisura , patëm mbi 46 mijë vizitorë në Kala. Por sërish nuk është ky maksinumi, sepse investimet e mëdha ende nuk e kanë dhënë efektin. Unë besoj se 2017-ta  do ruajë trendin e rritjes,  ndërsa 2018 do të shënojë bumin e fuqishëm të turizmit”, u shpreh ministrja.

Porosia e Kumbaros në këtë takim ishte që në guidat turistike të futen me patjetër edhe atraksionet historike e kulturore që janë jashtë Gjirokastrës, si Lunxhëria, Libohova, Labova, Zagoria etj.

 

Ndërkohë ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi duke folur në këtë takim u njoh me shqetësimet e biznesit dhe mundësitë për të bërë më tepër për të ndihmuar rritjen e tyre. Sipas saj reformat e ndërmarra nga qeveria e kanë lehtësuar ndjeshëm sipërmarrjen, ndërsa rritja ekonomike e sivjetëshme vlerësohet në 3.46%.

Në takim ishte i pranishëm edhe i deleguari i PS-së për qarkun Gjirokastër, ish-ministri Beldi Çuçi.

/ArgjiroLajm.net/