Targat e bardha falimentojnë taksitë e liçensuara në Gjirokastër

Konkurrenca e targave të bardha po çon drejt falimentimit taksitë e liçensuara në Gjirokastër. Krenar Tauzi është njeri prej taksistëve të vjetër të qytetit të gurtë. “Çdo ditë dhe më shumë, ne e kemi të vështirë të shlyejmë detyrimet financiare ndaj shtetit si shkak i konkurrencës së targave të bardha”, thotë Krenari.

Ai dhe taksistët e tjerë gjirokastritë shprehen me shqetësim se konkurrenca e pandershme po i çon drejt falimentimit, duke e bërë thuajse të pamundur shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj shtetit. Aktualisht, në bashkinë e Gjirokastrës, ushtrojnë veprimtarinë e tyre rreth 60 mjete taksi dhe furgonë të liçensuar.

“Por krahas nesh punojnë edhe taksistë të paliçesuar, të cilët, duke ofruar çmime më të ulëta, e kanë të lehtë të sigurojnë pasagjerët. Vazhdimisht ne e kemi denoncuar veprimtarinë e tyre pranë organeve shtetërore, por sërish asgjë nuk ka ndryshuar”, shprehet taksisti Altin Shehu. Në qytetin e Gjirokastrës taksistët janë stacionuar në disa pika, por të gjithë i bashkon i njëjti shqetësim, konkurrenca e ashpër e targave të bardha. “Përgjatë këtij viti nuk kanë munguar edhe rastet kur taksistë të liçensuar, si shkak i pamundësisë financiare për shlyerjen e detyrimeve karshi shtetit, i kanë mbyllur automjetet në garazh”, shpreh shqetësimin e tij një tjetër taksist në Gjirokastër.

Madje taksitët janë konfrontuar fizikisht me shoferët e targave të bardha, duke iu kërkuar atyre që të mos e ushtrojnë këtë aktivitet. Përfaqsuesit e bashkisë së Gjirokastrës shprehen se detyrim ligjor i pushtetit vendor është vetëm dhënia e liçensave përkatëse në përputhje me ligjin. “Deri tani taksistët nuk janë ankuar për shkelje në këtë drejtim, ndërkohë që në ndarjen e liçensave përkatëse ne kemi zbatuara ligjin”, shprehet Dashamir Sejdo, specialist në bashkinë e Gjirokastrës.

Drejtuesi i sektorit të qarkullimit rrugor në policinë lokale, Elmaz Veliu, thotë se vazhdimisht blutë e qarkullimi kanë bashkëpunuar me shoqatën e taksistëve për të goditur ligjërisht konkurrencën e targave të bardha.”Në këtë drejtim nuk kanë munguar edhe rastet kur ne kemi bllokuar automjete që ushtronin aktivitetin taksi pa patur dokumentacionin përkatës. Megjithatë kjo është një problematikë që nuk mund të frenohet vetëm me aksionet e policisë rrugore”, shprehet ai./konica.al