Tavo flet për ‘tradhtarë’ te LSI Gjirokastër: Punuan kundër nesh, vinin në takime sa për vendin e punës

Gjatë takimit të zhvilluar një ditë më parë me strukturat e LSI-së në Gjirokastë, ku mori pjesë edhe kryetarja Monika Kryemadhi, deputeti Vangjel Tavo gjatë fjalës së tij foli për njerëz të LSI-së që nuk punuan për fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ne kemi bërë një analizë në çdo qendër votimi dhe deri diku e dimë se kush ka punuar shumë mirë dhe u duk nga rezultati. Por për fat të keq ka pasur edhe nga ata të cilët pothuajse nuk kanë punuar fare, por vinin pranë LSI-së për të mbajtur vendin e punës apo për të treguar që ne këtu jemi, edhe pse realisht ata nuk punonin për të arritur objektivin tonë. Sot jemi në gjendje të themi se ku kanë qenë pikat tona të forta, ku kanë qenë pikat tona të dobëta. Jemi në gjendje të evidentojmë edhe njerëzit me emra dhe si ka punuar çdo organizatë”, u shpreh Tavo duke mos përmendur emra konkretë.

Por nëse rikthehesh pas në kohë të kujtosh zhvillimet, ka patur drejtues të emëruar nga LSI-ja me të cilët Tavo dhe kryebashkiakja Zamira Rami pati përplasje. Kujtojmë këtu Edi Sinojmerin, i cili ishte kryetar i LSI-së për Gjirokastrën apo edhe Kristaq Thimion, kreun e Inspektoriatit Shtetëror Mjedisit dhe Pyjeve, si dhe disa emra të tjerë.

©ArgjiroLajm.net