Tavo mohon të kandidojë për Gjirokastrën, thotë se mund të jetë sërish Bime

ksdjhsdghdfgb“Bime mund të rikandidojë në zgjedhjet e 21 qershorit”

Zërave për një kandidim të mundshëm të tij për garën që do të zhvillohet në Bashkinë e Gjirokastrës, u është përgjigjur vetë deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, i cili ka hedhur poshtë çdo mundësi për pjesëmarrjen e tij në këto zgjedhje. Në një prononcim për mediat, Tavo tha se ai është i përkushtuar ndaj mandatit të tij si deputet dhe do ta përfundojë atë deri në fund.

“Unë kam marrë një mandat, në Qarkun e Gjirokastrës, dhe këtë mandat do ta çoj deri në fund. Nuk do e ndërpres mandatin e deputetit, për t’u kthyer në garë për bashkinë. Unë do të përfaqësoj elektoratin tim në Kuvend”, deklaroi Tavo. Duke iu përgjigjur interesimit se kush mund të jetë përfaqësuesi i mazhorancës në këtë garë, Tavo nuk përjashtoi mundësinë e rikandidimit të kryebashkiakut aktual, Flamur Bime, i cili, siç tha Tavo, po shikohet si alternativa më e mundshme e mazhorancës që po diskutohet për Bashkinë e Gjirokastrës.

“Edhe zoti Bime mund të jetë një nga kandidaturat. Është tryeza, takimet që do të vendosin se kush do të jetë kandidati”, theksoi Tavo.

Ndërkaq, i pyetur për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të jenë në garë për bashkitë kryesore, Tavo tha se nuk do të ketë një ndarje me thikë të zonave. Deputeti i LSI-së tha se dy kryetarët e partive të koalicionit qeveritar, Rama e Meta, do të zgjedhin kandidatët më të mirë që do përfaqësojnë koalicionin e majtë në zgjedhjet e 21 qershorit.

“Është në vazhdimësi procesi i negociatave, nuk janë vendosur ende kandidatët. Besoj se do të zgjedhim njerëzit më të mirë. Kjo është arsyeja se përse këto negociata po zgjasin e po vazhdojnë. Kandidatët që do të zgjidhen duhet të na përfaqësojnë ne si koalicion i majtë. Sikurse është theksuar dhe nga kryetari, e majta nuk synon të ndajë zonat, por kandidatë të përbashkët. Nuk ka një ndarje të mirëfilltë zonash”, deklaroi Tavo