Tavo shpërthen kundër Ramës: Është antigrek, ky njeri ka probleme me të gjithë (VIDEO)

Vangjel Tavo ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, si dhe ka ‘privatizuar’ si të vetat gjithë investimet e qeverisë në Bashkinë Dropull.

Duke folur në një intervistë në gjuhen greke për Televizionin Gjirokastra, Tavo është pyetur nga gazetari nëse ishte dakord me perceptimin e krijuar në radhët e minoritetit, se kjo qeveri e Partisë Socialiste është qeveria më antigreke të gjitha kohërave.

“Sigurisht, jam dakord 100%, jo 99. E them edhe publikisht. Nuk është cështja nëse është vetëm antigrek. Ky njeri (Rama) ka probleme me të gjitha vendet fqinje. Shkaktoi probleme me Greqinë, me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Serbinë, me të gjitha shtetet fqinje. Ndërsa kur erdhi në pushtet erdhi me moton nuk do të kemi asnjë problem me fqinjët.  Sot kur mbyll mandatin 4-vjeçar nuk kemi asnjë vend fqinj që të mos ketë probleme me Shqipërinë”, ka thënë Tavo.

Më tej kandiati i LSI-së ka thënë se Kryeministri i Shqipërisë nuk ka shkuar asnjëherë në Greqi, të ulet me kryeministrin e vendit fqinj të diskutojë për problemet e dy vendeve. Në vijim Tavo ka lënë të kuptohet se Rama nuk niset nga interesat e vendit të tij, por të një vendi të tretë, duke nënkuptuar Turqinë. Argument ky i mbështetur dhe artikuluar fort disa herë nga Athina zyrtare.

“Duhet që Kryeministri të ketë si synim interesat e vendit të tij, jo të fillojë me interesat e palëve të treta (nënkupton Turqinë), të cilat ndërhynë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ky duhet të jetë Kryeministri i ri i Shqipërisë”, ka thënë Tavo.

Një çështje tjetër për të cilin ai ka sulmuar sërish Edi Ramën, ka qenë ligji i ri për minoritetet. Gazetari i ka kujtuar Tavos qëndrimin e Ramës, i cili thotë se ligjin e Shqipërisë për minoritetet do ta ketë zili edhe Greqia.

“Mua nuk më intereson çfarë ligji ka Greqia për minoritet. Mua më intereson çfarë ligji ka Shqipëria. Kryeministri nuk duhet të marrë si shembull të keq Greqinë, e cila është qindra vite përpara në demokraci krahasuar me Shqipërinë ku jetojmë. Ne si minoritet kemi bërë disa propozime për ligjin e minoriteteve, por qeveria s’ka marrë në konsideratë asnjë. Prezanton një ligj që e konsideron të mirë, por s’na ka pyetur neve. Më thoni ju mua, është  interesuar për ligjin e minoriteteve dikush që punon në Ministrinë e Jashtme më shumë sesa unë?!”, ka thënë Tavo.

Sulmet e tij në gjuhën greke kundër kryeministrit Edi Rama janë në të njëjtën linjë me sulmin e Ilir Metës javën e shkuar në një televizion grek.

Sa i përket investimeve në Dropull (rrjeti i energjise, ujësjellësi dhe unaza e Pogonit), Tavo u mundua sërish t’i ‘privatizonte’, duke thënë se ato kanë ardhur për meritë të tij, ndonëse kanë qenë direkt projekte të qeverisë shqiptare.

Intervistën e plotë të tij mund ta ndiqni në videon më poshtë.

/ArgjiroLajm.net/