Tavo ‘vë në rresht’ futbollistët, merr fund bojkoti te Luftëtari, por… janë pa trajner

Pas një dite bojkoti, futbollistët që mbyllën sezonin e fundit, u janë rikthyer përgatitjeve nën drejtimin e trajnerit Petraq Meci. Temperaturat e larta kanë imponuar trajnerin Meci për të zhvendosur orarin e përgatitjeve nga ora 18:00 në orën 18:30. Pas arritjes së konsensusit me drejtuesit e klubit, futbollistët nuk kanë vonuar të vihen nën urdhrat e teknikut, të gatshëm për të marrë ngarkesat e duhura fizike.

Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se te Luftëtari nuk bëhet fjalë për çështje financiare, përkundrazi, ditët në vazhdim priten të jenë intensive në merkato. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se presidenti Grigor Tavo ka “piketuar” emrin e trajnerit të ri, prezantimi i të cilit do të bëhet javën e ardhshme.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se presidenti Grigor Tavo ka refuzuar dy-tri emra trajnerësh vendas, pasi nuk e kanë bindur me projektet e tyre. Bashkë me emërimin e trajnerit të ri, drejtuesit bluzinj kanë vendosur kryerjen e fazës përgatitore në Greqi. Më parë do t’i jepet një afat kohor trajnerit të ri për t’u njohur më nga afër me kontingjentin e lojtarëve aktualë. Seanca e pasdites së djeshme zgjati më shumë se një orë e gjysmë.

Nën urdhrat e Mecit ishin të gjithë futbollistët që nisën dhe ditën e parë stërvitore, shtuar edhe të rinjtë Rudion Mahmutaj dhe Mariol Kazma. Pas ushtrimeve fizike, vrapimeve rreth pistës së fushës, ekipi është ndarë në grupe duke aplikuar lojëra të ndryshme me topin. Në një nga katërkëndorët e “Fushës së Vjetër” , përgatitësi i portierëve, Ilirjan Zeko punonte i diferencuar me katër “gardianët” e tij në dispozicion.

luftetari