Të majtët kandidojnë Luiza Mandin për Bashkinë Libohovë?

10859856_10202832706168994_470808512_nKoalicioni i majtë qeverisës i udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, pritet që në zgjedhjet e ardhshme lokale të rikandidojë rreth 80% të kryebashkiakëve aktualë, shkruan gazeta “Shekulli”.

Sa i përket Bashkisë Libohovë, përmendet emri i mjekes së njohur Luiza Mandi. Kjo e fundit ka qenë e nominuar nga të majtët edhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2011, por që atehere pati refuzuar ofertën për të hyrë në garë me Altin Çomon, i cili ishte në kërkim të mandatit të dytë. Nëse kësaj here Mandi do të jetë zyrtarisht kandidatura e së majtës, me shumë gjasa do të ketë përballë sërish kryebashkiakun aktual të Libohovës, që pritet të kërkojë votëbesim për herë të tretë.

Megjithatë asnjë kandidaturë nuk është konfirmuar ende, ndërsa duhen 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Për Gjirokastrën pritet të ketë një tjetër rikandidim të Flamur Bimes, i cili ka plot 11 vjet si kryebashkiak i qytetit të gurtë. Beteja më e madhe do të zhvillohet në Tiranë, ku sipas “Shekullit”, e majta do të vendosë mes Pandeli Majkos dhe Monika Kryemadhit.