Të tjera ndryshime në Këshillin Bashkiak Libohovë. Arben Kuros pritet t’i hiqet mandati

Keshilli bashkiak libohoveNë mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak Libohovë që do të mbahet ditën e enjte pritet të miratohen ndryshime në radhët e këshilltarëve të Partisë Demokratike. Arben Kuro i zgjedhur si përfaqësues i Partisë Demokratike, e ka humbur mandatin e këshilltarit pasi nuk ka marrë pjesë në mbledhje për të paktën 6 muaj.

Në këto raste ligji parashikon heqjen e mandatit të këshilltarit dhe kalimin e tij personit tjetër që ndodhet në listën e dorëzuar para zgjedhjeve nga subjekti politik.

Pas Kuros në listën e PD-së ndodhet Lorenc Kataro. Në rendin e ditës Këshilli Bashkiak ka vendosur edhe një projektvendim  “Për një ndryshim në komisionin e mandateve”, pjesë e të cilit ishte gjithashtu Arben Kuro. Pritet që një këshilltar tjetër ta zëvendësoje atë në këtë komision.

Në shtator të vitit 2015, mjeku Arben Kuro u denoncua nga një pacient në emisionin “Fiks Fare”. Sipas këtij denoncimi, Kuro i kishte kërkuar shtetasit Spiro Pasha një shumë prej 200 mijë lekësh të vjetra, për t’i firmosur fletëdaljen e fëmijës nga spitali.

Pas denoncimit në emision, policia bëri ndalimin e mjekut, i cili në zgjedhjet e fundit vendore ishte zgjedhur si këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Libohovës.

|Libohova Online|