Të votuar për deputetë, 3 kandidatët që shtojnë “sherrin” te PD Gjirokastër

Demokratët e Gjirokastrës zgjodhën vetëm 11 emra si të preferuarit e tyre për të qenë kandidatë për kandidatë për deputetë, të cilët do të vijojnë procesin e përzgjedhjes në fazat e tjera në kupolën e PD-së. Në listën finale me 11 emra, ku bie në sy edhe mungesa e përfaqësuesve nga radhët e minoritetit grek në Dropull, beteja e radhës në korridoret e selisë blu është mes 3 personave; Tritan Shehut, Entela Shehajt dhe Roland Bejkos. 8 të tjerët janë aty sa për numër pa patur asnjë shans real që të zgjidhen deputetë.

Qarku Gjirokastër çon në Kuvend 5 deputetë, nëse nuk ia heqin 1 mandat për shkak të pakësimit të numrit të popullsisë. Rishpërndarja e mandateve do të bëhet muajt e ardhshëm. Në skenarin më optimist PD synon të marrë në Gjirokastër dy mandate. “Luftën” për të dytin e ka me LSI-në, e cila veç Tavos pritet të ketë në listë edhe “bletën punëtore” të Rilindjes, Briseida Shehajn. Nëse përsëritet skenari i vitit 2017 PD do të marrë vetëm 1 mandat, tjetrin e merr LSI-ja dhe 3 i shkojnë PS-së. Edhe pse gjërat kanë ndryshuar këtu e katër vite më parë, në Gjirokastër ka përgjithësisht një elektorat solid dhe nuk priten shumë surpriza.

Pyetja që shtrohet është se si do të jetë renditja në listën e PD-së? Nëse Basha vendos Tritan Shehun të parin, Roland Bejkon të dytin dhe Entela Shehajn të tretën, i vetmi ndryshim nga 4 vite më parë është Entela Shehaj në listë. PD e provoi në Gjirokastër me Tritan Shehun dhe Roland Bejkon. Nëse ky i fundit spostohet në vendin e tretë për t’i lënë të dytin Entela Shehajt dhe listën e udhëheqë sërish Tritan Shehu, për Roland Bejkon është “vetëvrasje” politikisht pasi zhvendoset një nivel më poshtë ku ka gjithmonë e më pak mundësi për të fituar. Derisa nuk arriti të zgjidhej deputet kur ishte i dyti në listë katër vite më parë, nuk ka fare mundësi të zgjidhet duke qenë i pozicionuar në vendin e tretë. Një skenar tjetër është që Roland Bejko të shkojë i pari në listë. Por këtu ka 3 probleme.

E para, Tritan Shehu s’do të pranojë të spostohet në vendin e dytë. I bie që të ketë një ndërrim vendesh me Bejkon po të marrim parasysh zgjedhjet e vitit 2017. E dyta, zor të mendosh se Entela Shehaj i është futur kësaj sfide për të qenë në vendin e tretë sa për “garniturë” ku ka zero mundësi për të hyrë në Kuvend dhe duke patur një mentor të fortë, Genc Rulin. E treta, kryesimi i listës së PD-së në Gjirokastër vështirësohet për Roland Bejkon për shkak të marrëdhënies së tij të tendosur me Genc Rulin, i cili drejton komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve në PD. Dhe të mos harrojmë se lista e kandidatëve të dalë nga anëtarësia e PD-së në Gjirokastër, me përjashtim të Bejkos, janë të gjithë njerëz të sponsorizuar nga Genc Ruli. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë një “paqe” mes tyre dhe në fund të jetë vetë Basha që mund të vendosë veton për Bejkon. Një skenar tjetër është që listën e PD-së në Gjirokastër ta udhëheqë Entela Shehaj.

Prapë kjo nuk e shuan “sherrin” mes Tritan Shehut e Roland Bejkos. Kush do të jetë në vendin e dytë?! Nëse Tritan Shehu mund të mbyllë njërin sy e të pranojë të jetë i treti, Roland Bejko vështirë të “nënshtrohet” sërish për të qenë në vendin e dytë. Me pak fjalë, dikush në këtë trio kandidatësh është i tepërt. Zgjidhja e vetme janë listat e hapura, por jo sipas variantit që propozon PS-ja, për të ruajtur sërish pushtetin absolut të kryetarit të partisë. Me lista 100% të hapura i fundit në renditje me siguri kishte për të dalë Tritan Shehu. Listat 100% të hapura favorizojnë Roland Bejkon, ndërsa mbetet për t’u testuar Entela Shehaj. Të tjerët pastaj, Bequa, Shemshua e Nikua me shokë merreni me mend vetë se sa vota mund të marrin e sa i do populli. Megjithatë, për fat të keq, ka pak mundësi që të shkojmë në zgjedhje me lista 100% ta hapura.

Politikisht do të ishte një gabim fatal i Roland Bejkos nëse tregohet “njish” përballë Bashës për të qenë dyshi në listë, e më keq akoma i treti. Më mirë jashtë liste sesa të punosh e të mbledhësh vota për Tritan Shehun, që një Zot e di se ç’e shtyn Lulzim Bashën ta ketë në PD-në e vitit 2020. Sidoqoftë këto janë llogari që i bën vetë Roland Bejko, në raport me karrierën e vet politike dhe elektoratin. Në listën finale me 11 kandidatë mungon në mënyrë të habitshme Niko Shupuli, i cili shihej si favorit për të qenë në ekipin e PD-së së qarkut Gjirokastër për zgjedhjet e vitit 2021. Është e paqartë se përse është lënë jashtë. Mungesë votash apo marifete të tjera?! Ka edhe një skenar tjetër që nuk duhet të habitemi fare se mund të ndodhë.

E gjithë kjo listë përmbyset në Tiranë dhe dërgohen me zarf emra të tjerë kandidatësh. Sikundër ne e kemi thënë më herët, primaret në PD ngjajnë më shumë të stisura për të krijuar iluzionin e rremë se partia gëlon nga demokracia, por që në fakt listat bëhen sipas interesit të kryetarit dhe pazareve në minutat e fundit. Prandaj kjo nuk përjashtohet as kësaj radhe. Dhe s’është vetëm PD-ja që vepron kështu. Po njësoj Rama, Meta, Kryemadhi etj. Partitë në Shqipëri për fat të keq janë pronë e kryetarëve. Më poshtë emrat me 11 emrat e listës finale të kandidatëve të dalë nga votimi brenda PD Gjirokastër. Renditja është sipas rendit alfabetik, se po të ishte sipas votave që kanë marrë, Tritan Shehu duhej të renditej në krye. Ai vetë deklaroi në Facebook se e kishin votuar njësoj si Enver Hoxha, me mbi 90% të votave. Ndërsa ata që nuk e donin ishin më pak se 10%./ argjirolajm.net

1.ADIL XHELILI

2.ALIJE KOKALARI

3.ALTIN ÇOMO

4.ANTONELA LENA

5.BEQIR GJIKA

6.BESNIK ALIAJ

7.ENTELA SHEHAJ (FICO)

8.NIKOLLA ZHULLA

9.ROLAND BEJKO

10.SHEMSHO LAMAJ

11.TRITAN SHEHU