Tentoi të shkrinte akullin e depozitës, rrëshqet dhe gjen vdekjen i moshuari në Gjirokastër

Tentativa për të shkrirë akullin e depozitës së ujit, e cila kishte ngrirë i ka kushtuar jetën një 62-vjeçari në qytetin e Gjirokastrës.

Ngjarja tragjike ndodhi gjatë paradites së të dielës, kur i ndieri Vasil Kaci kishte hipur ne tarracën e pallatit për të parë depozitën, por prezenca e akullit ka bërë që ai të rrëshqasë dhe të bjerë fatalisht poshtë duke humbur jetën.

I moshuari ishte ngarkuar me një bidon me ujë të ngrohtë, si dhe disa vegla hidraulike për të rregulluar depozitën. Por fatkeqësisht ai shkeli në një pjesë me akull të tarracës dhe menjëherë rrëshqiti duke u rrëzuar poshtë, ndonëse tentoi të mbahej pas pravazit.

Sipas ekspertëve hetimor, 62-vjeçari kishte marrë goditje në kokë dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Ai ndërroi jetë rrugës për në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Policia lokale ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.