Tepelenë-Kakavijë, “rruga e vdekjes”, 4 viktima brenda një muaji

Tre të plagosur vetëm gjatë fundjavës janë viktimat më të fundit në rrugën kombëtare Tepelenë-Kakavijë, në vendin e quajtur Kthesa e Picarit. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por kjo rrugë mbetet vend i vazhdueshëm aksidentesh. Vetëm gjatë muajit shkurt, humbën jetën katër persona.

Rruga lidh doganën e Kakavijës me zonat e tjera të vendit, ndaj përballet me një fluks të rënduar të trafikut rrugor. Drejtuesit e mjeteve shprehen se tregohen të kujdesshëm në respektimin e Kodit Rrugor gjatë qarkullimit.

“Unë punoj si taksist dhe pjesën më të madhe të javës udhëtoj në drejtim të doganës së Kakavijes. Mund të them me bindje se asnjëherë nuk e kam shkelur Kodin Rrugor, ndaj kurrë nuk jam përfshirë në një aksident”,-  shprehet K. Shehu, drejtues i një  taksie. Por ka raste kur drejtuesit e mjeteve fajësojnë njeri-tjetrin për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe shkaktimin e aksidenteve. “Kam parë raste kur shoferët që qarkullojnë në këtë rrugë  nuk e respektojnë Kodin Rrugor, normat e shpejtësisë, etj, duke na rrezikur jetën edhe ne të tjerëve, si shkak i aksidenteve të mundshme”,- shprehet një drejtues mjeti nga Fieri.

Për strukturat e Policisë Rrugore në Gjirokastër shkaku kryesor i aksidenteve është pakujdesia e drejtuesve të mjeteve. Gjatë muajit shkurt 2017, blutë e rrugores vendosën 530 gjoba  për përdorimin e telefonit, mosvendosjen e rripit të sigurimit etj.

“Nëpërmjet postoblloqeve tona ne vazhdimisht u bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregohen të kujdesshëm gjatë ngarjes së makinës, por pakujdesia e tyre si dhe mosrespektimi i Kodit Rrugor vazhdojnë të shkaktojnë aksidente automobilistikë”,- thotë Blerim Berbati, drejtues i Policisë Rrugore, Gjirokastër. Blutë e qarkullimit vazhdimisht kanë organizuar nisma ndërgjegjësuese për respektimin e Kodit Rrugor për të ulur numrin e aksidenteve në rrugën kombëtare Tepelenë-Kakavijë.