Tifozët Kuq e Zi denoncojnë dhunën policore: Jemi tërhequr zvarrë në rrugët e Tiranës (FOTO)

111_1447777491-481360Tifozët Kuq e Zi kanë reaguar sot për dhunën që policia ushtroi ndaj tyre pas ndeshjes miqësore të Shqipëri-Gjeorgji. Ata denoncojnë dhunën brutale dhe ndalimin e banderolave me simbole kombëtare, përfshi këtu edhe një banderolë solidariteti për sulmet terroriste në Paris. Grupimi i tifozëve kërkon që organet kompetente të marrin masat ndaj policëve që ushtruan dhunë, si dhe FSHF-ja të marrë përsipër përgjegjësitë si organizatore e ndeshjes. Lexoni më poshtë komunikatën  e plotë të tyre.

“Të nderuar tifozë,

Duke parë se dhuna, terrori dhe sjellja kafshërore e policisë dhe organeve të sigurisë ndaj Tifozave Kuq e Zi nuk kanë të ndalur, jemi të detyruar që të dalim më këtë komunikatë:

Ndeshja miqësore e ditës së hënë, mes Kombëtares tonë dhe Gjeorgjisë, i vuri kapakun një rutine kur për çdo ndeshje anëtarët tanë, do të dhunoheshin, burgoseshin dhe shtypeshin barabarisht.

Dhuna policore nuk është e tanishme, ajo ka nisur kaherë, madje ka kaluar nëpër disa etapa. Si fillimi i një organizimi skandaloz dhe paralajmërim I një terrori radikal që do niste, ishte ndeshja kualifikuese Shqipëri-Portugali. Aty u zhveshëm, na u hoqën simbolet tona kombëtare dhe nuk na u lejuan koreografitë dhe mjetet tjera tifozërike.

Më pas erdhi ndeshja “apokaliptike”, kundër Serbisë, ku të gjithë jemi të vetëdijshëm për atë çfarë ndodhi aty, qysh prej trajtimit para portave hyrëse të stadiumit, ndalimin e veshjeve me figura kombëtare e deri te mbushja e stadiumit me tifozë me kollare.

Ne pas secilës ndeshje të sipërpërmendur, kemi reaguar nëpërmjet komunikatave tona publike, përmes kanaleve private me zyrtarë të FSHF-së por edhe me zyrtarë të policisë së shtetit. Asnjëra nga këto nuk u mor kurrë seriozisht.

Avazi vazhdoj, edhe në ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë, pavarësisht marrëveshjeve paraprake me FSHF-në si organizatore e ndeshjes na u ndalua koreografia që I kushtohet anëtarit tonë Ismail Morinës (Ballistit).

Koreografia (shih foton e bashkangjitur), me mesazhin “Prezent” nuk përmbante asnjë mesazh racist ose ndonjë mesazh tjetër që është i ndaluar me rregullat e UEFA-së dhe me ligjet e shtetit shqiptar, për më tepër për protagonistin në fjalë nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë.

Gjithë këta faktorë para dhe gjatë kësaj ndeshje neve na shtynë që të protestojmë dhe në shenjë proteste hapëm një mesazh me mbishkrimin “Ku i keni tifozët” duke aluduar në “ tifozët me kollare”. Mesazhi u dha, dhe anëtarët tonë bashkë me përfaqësuesit filluam të dalim jashtë stadiumit.

Gjithashtu, një mesazh në gjuhën frenge “La liberté ne meurt pas par les balles, l’Albanie avec la France!” (Liria nuk vdes nga plumbat” Shqipëria me Francën) për ngjarjet e fundit në Paris.

Tek porta D1, në dalje, anëtarët tanë janë tërhequr zvarrë, janë rrahur brutalisht madje dhe janë shoqëruar 6 prej tyre në komesariat. Gjatë gjithë rrugës, por edhe në godinën e komesariatit të arrestuarit janë maltretuar, janë fyer në baza familjare dhe janë goditur në mënyrat më të dhunshme.

Gjatë gjithë këtyre ngjarjeve, FSHF nuk del e amnistuar, pasi si bartëse kryesore e organizimit çdoherë për punën e koreografisë dhe banderolave të tjera luan ping-pong me policinë e shtetit, duke hedhur fajin te njëra tjetra dhe asnjëherë takim trepalësh, TKZ-Federatë-Polici.

Kërkojmë nga organet përgjegjëse që të merren masat ndaj policëve që kanë dhunuar shokët tanë, të cilët janë lehtë të identifikueshëm nëpër pamjet filmike, gjithashtu edhe FSHF-ja të marrë përgjegjësit e veta si organizatore kryesore e ndeshjes”.

LAPSI.AL