Trajneri i Kosovës ‘sulmon’ De Biasin

auto_Alberti1464985113Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki ka kritikuar veprimet e De Biasit i cili i ka kërkuar lojtarëve që të vendosin nëse dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë apo për Kosovën.

Mediat raportojnë se të paktën një lojtar kosovar ia ka bërë të ditur De Biasit se dëshiron të luajë për vendlindjen e tij, mirëpo Bunjaki ngul këmbë se bëhet fjalë për më shumë lojtarë.

“Lojtarët janë kontaktuar nga De Biasi për të marrë një përgjigje nëse do të vazhdojnë të luajnë për Shqipërinë. U është kërkuar qysh dje të vendosin. Vet lojtarët, me disa prej të cilëve edhe kam kontaktuar e kanë ndier veten shumë keq. Mendoj se nuk është në favorin e askujt kjo që ka bërë ai. Nuk është mirë as për futbollin e Shqipërisë, as të Kosovës e as për vetë futbollistët, pa ardhur një vendim i FIFA-s i cili shumë shpejtë do të vijë e do të sqarojë situatën e gjithsecilit. Nuk e kuptoj se çka duhet të vendosin lojtarët kur nuk kanë se çka të vendosin, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje nëse kanë të drejtë apo jo të ndërrojnë përfaqësuesen”, ka deklaruar Bunjaki për Koha Ditore.