Transferimi i studimeve dhe regjistrimi në një program të dytë studimi, afati për aplikim

Pamje-nga-Universiteti-i-GjirokastresDuke nisur nga sot, të gjithë ata studentë që duan të transferojnë studimet nga një universitet në një tjetër, apo që duan të ndjekin një program të dytë studimi, kanë afat të aplikojnë deri më 6 tetor. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar sot procedurat dhe afatet mbi të cilat do të bëhen transferimi dhe regjistrimi në një program të dytë studimi. 

Për programet e studimit që parashikojnë konkurs për pranimin e tyre, aplikimet kryhen nga data 1 tetor deri në datën 3 tetor 2014. Nga këto kuota, nuk përfitojnë studentët që transferojnë studimet nga institucionet private të arsimit të lartë së cilëve u është hequr licenca. Këta të fundit do të aplikojnë sipas Udhëzimit përkatës për ta, Nr. 33 datë 19.09.2014, direkt pranë IAL-ve përkatëse. 

Transferimi i studimeve mund të bëhet në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm të të njëjtit cikël e tipologji. Ndërkohë, IAL-të nuk mund të pranojnë aplikime për transferime gjatë vitit akademik, por vetëm sipas afateve të përcaktuara në Udhëzimin Nr.36 të datës 01.10.2014, ku të interesuarit mund kërkojnë atë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, në lidhje me dokumentacionin që duhet të paraqesin pranë IAL-ve. 

Aplikimet për transferimin e studimeve dhe për program të dytë studimi do të shqyrtohen nga komisionet e ngritura për këtë qëllim nga IAL- të, të cilat më pas do të shpallen edhe fituesit. Pas shpalljes së fituesve, nëse ata nuk paraqiten për regjistrim brenda datës 15 tetor, IAL-të do të vijojë me shpërndarjen e kuotave për kandidatët e tjerë. /BW