Trashëgimia kulturore si motor zhvillimi, Kumbaro leksion të hapur në Universitetin “Eqerem Çabej”

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka marrë pjesë sot në një leksion të hapur në Universitetin “Eqerem Çabej” mbi trashëgiminë kulturore dhe mundësitë që ajo ofron për zhvillimin ekonomik të qarkut Gjirokastër. Gjatë fjalës së saj Kumbaro tha se trashëgimia kulturore duhet parë si motor zhvillimi, prandaj është shumë ë rëndësishme të përgatiten profesionistë të rinj në këtë fushë.

“Ka një shans të madh Universiteti “Eqerem Çabej”  t’i përgjigjet gjithë qarkut me përgatitjen e profesionistëve në fushën e arkeologjisë e trashëgimisë. Gjirokastra ka një një bukuri  dhe vlera të jashtëzakonshme, të cilat duhet t’i  kthejë në potencial zhvillimi dhe jetese. Nuk ka investim më të rëndësishëm sesa edukimi dhe kultura, nëse duam një zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Kumbaro.

Në vijim të fjalës së saj ajo përmendi gjithashtu edhe investimet që janë zbatuar dhe po kryhen në Gjirokastër, për ta shndërruar këtë qark në një qendër të rëndësishme të zhvillimit të turizmit në jug të vendit. Krahas ministres të pranishëm në këtë leksion ishin dhe Prof.Lorenc Bejko, si dhe drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani.

Ditë më parë Kumbaro ishte në Universitetin “Eqerem Çabej” teksa u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes këtij universiteti dhe Universitetit të Maceratës në Itali, marrëveshje që parashikon edhe çeljen e një programi stutimi në nivelin Mastër për Arkeologji.

/ArgjiroLajm.net/