Traumat e emigracionit, të kthyerit kërkojnë ndihmë në Gjirokastër (VIDEO)

Në Gjirokastër është në rritje numri i personave të kthyer rishtaz nga emigracioni e që vuajnë nga sëmundje mendore. Familjet e tyre janë duke drejtuar kërkesa për mbështetje pranë Shërbimit Social Shtetëror.

Rastet e të sëmurëve të pasiguruar në Shqipëri janë të vështira për t’u trajtuar, thotë mjeku Hysni Lluka, që drejton KEMP-in lokal.

Rastet duhen shqyrtuar prej Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por sipas tij, gjykuar nga numri i madh ka nevojë që kjo situatë të vlerësohet në një nivel më të lartë.

Lluka tërheq gjithashtu vëmendjen edhe për një kategori tjetër, e cila është në rritje: fëmijët e lindur me probleme të aftësisë së kufizuar mendore, me sindromin down, apo autizëm, sidomos në zonat rurale të qarkut.

“Kemi kritere në bazë të të cilave vlerësojmë gjendjen. Pra, duhet të paguajë siguracionin që të marrë më pas ndihmë. Pavarësisht se numri është në rritje, sidomos me emigrantët që sëmuren andej dhe paraqiten këtu për të marrë ndihmë, por nuk munden”, deklaron Lluka.

“Në institucionin tonë ka 2.200 persona me aftësi të kufizuara. Problemi më i rëndësishëm që këta persona kanë është se nuk kanë qendra ku të trajtohen. Kjo është në përputhje me tendencën e programeve sociale, që të mos kemi thjesht një kontribut financiar për këta persona, por që ata të integrohen”, thotë Magdalena Margariti, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër.

Margariti sqaron se nga ana tjetër ka një rritje të numrit të kujdestarëve për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të sëmurë mendorë, duke e çuar numrin total të atyre që shërbejnë për këta pacientë në 640 persona.

Jashtë skemës mendohet se gjenden shumë familje të tjera që ende nuk kanë informacionin e nevojshëm për kriteret përshirëse, ndërsa ka persona në gjendje kritike që nuk përfitojnë as nga statusi i paaftësisë dhe as nga ai i invalidit të punës.