Tre të arrestuar në Kakavijë, nuk pranuan të karantinoheshin dhe u futën ilegalisht nga kufiri me Greqinë

Policia e Gjirokastrës njofton se janë arrestuar në Kakavijë 3 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata më parë kishin refuzuar të vetëkarantinoheshin me shpenzimet e tyre. Kështu që u rikthyen në Greqi dhe vendosën të hynin në territorin shqiptar në mënyrë ilegale.

Njoftimi i plotë i policisë

Këta shtetas ishin paraqitur më parë në PKK Kakavijë dhe pasi janë njohur nga Policia Kufitare me rregullin se duhet të vetëkarantinoheshin 14 ditë me shpenzimet e tyre, nuk kanë pranuar të hyjnë në territorin shqiptar e janë larguar përsëri në tokën greke dhe më pas kanë hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit të gjelbër, ku dhe janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare.

Nisur dhe nga situata aktuale e pandemisë, këta shtetas përbëjnë rrezik potencial në përhapjen e pandemisë duke shmangur me veprimet e tyre detyrimet që u lindin në bazë të kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve ngjitëse në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër i arrestuan në flagrancë shtetasit G. K., 29 vjeç, banues në Berat, J. K., 27 vjeç, banues në Kuçovë dhe O. B, 20 vjeç, banues në Vlorë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.